×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Mos më ndjek përmas, si budallë po më ndjek”, avokati Hoxha tensionohet kur pyetet se a është mbrojtës i të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë

    Insajderi
    27 September 2023 - 21:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Avokati Asdren Hoxha të martën pas përfundimit të seancës për të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, është parë teksa kërkon nga zyrtari ligjor i gjykatës që emri i tij të futet si avokat në procesverbal.

    Kërkesa e tij ishte si avokat i dytë për të dyshuarin, Blagoje Spasojeviq.

    Për këtë, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar avokatin Hoxha për ta konfirmuar informacionin, si dhe për të marrë një koment lidhur me caktimin e masës së paraburgimit.

    Por, Hoxha fillimisht ka mohuar të jetë i përfshirë në rast, duke ngritur zërin dhe ofenduar.

    “Monitoruesi: Veç desha me të pyet a je avokat i angazhuar tek ky rasti?

    Avokati Hoxha: S’ki nevoje ti more më m ‘thirr, me m ‘pyet hiç për këto punë, as unë s’ta konfirmoj, as a e ki në procesverbal nuk jam aty avokat, as nuk është emri jem.

    Monitoruesi: Por, ju ishit..

    Avokati Hoxha: Mos më njek përmas, si budallë po më njek përmas nëse unë foli me një koleg ose diskutoj diçka, e tjera e tjerë.

    Monitoruesi: Avokat, po ju i thatë zyrtarit pse s’më keni shti në proces qata të thirra, pse s’më keni shti..

    Avokati Hoxha: Çka po të intereson ty nëse më shtinë në proces a nuk m’ shtinë në proces, a do të kyçna a nuk do t ‘kyçna?”

     Përkundër mohimit se është avokat, më pas ka thënë se nuk mund ta komentojë rastin njëherë.

    “Monitoruesi: Veç me ditë se a jeni mbrojtës i tij dhe me ju pyet në lidhjen me rastin qysh e komentoni, për këtë arsye?

    Avokati Hoxha: Po s’ki nevojë me më pyt, as me komentu, unë të tregova shumë kjart, thash nuk jam për me komentu sepse ende nuk e di statusin se qysh çka tek, nuk muj me komentu njëherë, ti po më përndjek.

    Monitoruesi: Jo nuk po të përndjeku, veç shumë shkurt po të pyes mbrojtës, po apo jo? Në rregull, kurrgjë tjetër.

    Avokati Hoxha: S’ki nevojë unë kur nuk të lajmërona njëherë, mos më thirr t ‘dytën herë të lutna ma kurrë, kur nuk të lajmërona herën e parë, mos m ‘pengo, mos m’ shqetëso, a merr vesh?

    Monitoruesi: Veç thjeshtë, avokat që ishin prezent aty, dëgjuam që je mbrojtës për këtë arsye të pyeta.

    Avokati Hoxha: Po çka me më dëgju, mos u përsërit ma, mos u përsërit ma, mos më thirr ma për këtë punë, herave tjera nëse nuk lajmërona herën e parë mos më thirr herën e dytë. Je tu m ‘pengu tu më thirr disa herë. Kjo është vepër penale e ngacmimit”.

    Lidhur me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga avokati i parë i Spasojeviq, Ljubomir Pantoviq.

    Pantiq ka refuzuar ta konfirmoj duke kërkuar që për këtë të pyetet vetë Hoxha.

    “Pyete Asdrenin, fol me Asdrenin”, tha avokati Pantoviq.

    Këtë informacion, të mërkurën e ka konfirmuar Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Në përgjigjen e zëdhënëses për informim, Mirlinda Gashi, thuhet se Hoxha ka dorëzuar autorizim në gjykatë, i caktuar nga familjari i të pandehurit.

    “Avokati Asdren Hoxha, i caktuar sipas autorizimit nga familjari i të pandehurit, i cili këtë autorizim e ka dorëzuar në gjykatë, por nuk ka marrë pjesë në seancën për caktimin e paraburgimit të mbajtur Gjykatën Themelore në Prishtinë”, ka thënë Gashi.

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark