Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po këkohet largimi i tarifës prej 3€ të cilën duhet t’a paguajn qytetarët të cilët qëndrojnë me të afërmit e tyre në klinikat e QKUK-së. Megjithatë, para se të merret një vendim i tillë, është e rëndësishme të analizohet thelbi i problemit: organizimi dhe cilësia e kujdesit ndaj pacientit.
Tarifa prej 3€ edhe pse barrë e për shumicën e qytetarëve, u’a mundëson avazin menaxhmentint aktual duke filluar nga MSH deri tek QKUK që shëndeti kolektiv te shihet vetëm si valutë dhe kalkulim financiar. Problemi real nuk qëndron te kjo tarifë, por te prania e madhe e përcjellësve nëpër reparte, të cilët edhe pse me vullnet të mirë nuk janë të kualifikuar për të ofruar kujdes profesional shëndetësor.
Kujdesi ndaj pacientit është përgjegjësi e stafit shëndetësor të trajnuar. Përcjellësit shpesh detyrohen të kryejnë detyra që u takojnë infermierëve, jo për shkak të mungesës së vullnetit, por për shkak të mungesës së stafit. Kjo situatë rrit rrezikun për gabime, ul standardin e kujdesit dhe krijon pabarazi mes pacientëve.
Kosova ka mjaft infermierë të diplomuar dhe të përgatitur profesionalisht, shumë prej të cilëve janë të papunë, ndërsa të punësuarit janë të nënpaguar dhe të mbingarkuar. Në vend që të largohet tarifa prej 3€, duhet të investohet në rritjen e numrit të infermierëve nëpër klinika.
Kjo do të:
Rrisë sigurinë e pacientëve
Përmirësojë cilësinë e shërbimeve
Ulë nevojën për përcjellës brenda reparteve
Krijojë vende pune për profesionistët shëndetësorë
Pacienti meriton kujdes profesional, dinjitoz dhe të barabartë. Zgjidhja nuk është largimi i një tarife, por forcimi i sistemit përmes punësimit të infermierëve dhe riorganizimit të brendshëm të shërbimeve.
Është koha që politikat shëndetësore të fokusohen në cilësi, siguri dhe profesionalizëm sepse shëndeti nuk është luks, por e drejtë themelore.
Enlirat Duraku
Infermier