×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Moszbatimi i marrëveshjes së diplomave, strategji e Serbisë për të mos i punësuar shqiptarët e Luginës

    Insajderi
    14 August 2023 - 10:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në negociatat për çështje teknike të ndërmjetësuara nga Brukseli, në vitin 2011, Prishtina dhe Beogradi kishin arritur marrëveshjen për njohje reciproke të diplomave. Në vitin 2016 kjo marrëveshje ishte zgjeruar, duke përfshirë njohjen reciproke të diplomave të të gjitha niveleve të shkollimit. Mirëpo, tash e më shumë se një dekadë kjo marrëveshje nuk po zbatohet nga Serbia dhe këtë po e pësojnë studentët shqiptarë të Luginës së Preshevës që studiojnë në Kosovë.

    Moszbatimi i Marrëveshjes për njohjen e diplomave në mes të Kosovës dhe Serbisë po vazhdon të jetë problem për studentët e Luginës së Preshevës, të cilët studiojnë në universitetet kosovare dhe kolegjet private.

    Duke e mos e zbatuar këtë marrëveshje Serbia po ua cenon të drejtën e punësimit shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kështu duke i lënë ata pa punë ose duke i detyruar të emigrojnë në vendet e ndryshme evropiane.

    Përveç kësaj, deri në këtë vit studentët e Luginës së Preshevës nuk kanë mundur të pajisen me licencë nga Ministria e Shëndetësisë, edhe pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë, kjo pasi ata nuk janë shtetas të Kosovës.

    Pavarësisht se atyre u është dhënë mundësia e studimit në Kosovë, por me moslicencim ata nuk mund të punësohen në institucionet shëndetësore publike në Kosovë.https://zeri.info/inarticle.html

    Një ish-student i Mjekësisë (emër i njohur për redaksinë), ka thënë për Zeri.info se me përfundimin e studimeve të Fakultetit të Mjekësisë ata pajisen me një leje pune, e cila lëshohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe më pas mund të punësohen vetëm në institucionet private shëndetësore, leje kjo e cila vlen vetëm për një vit, e që më pas, për vazhdimin e saj, duhet të bëjë kërkesë vetë institucioni ku ata punësohen dhe vazhdimi i lejes së punës vlen vetëm për atë institucion dhe jo për të tjera institucione.

    “Unë ka dy vjet që i kam përfunduar studimet në mjekësi dhe akoma nuk kam licencë. Pas përfundimit të studimeve neve na lëshohet një leje e punës, ku me atë mund të aplikojmë në çfarëdo institucioni shëndetësor privat, por kjo leje është vetëm njëvjeçare, njësoj sikurse leje qëndrimi, pra na lëshojnë lejen e punës në bazë të afatit të leje qëndrimit. Në rast se pranohemi në ndonjë institucion privat shëndetësor, pasi të na skadon afati i lejes së punës, institucioni ku punësohemi duhet të bëjë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për lejen e punës dhe kjo leje pune vlen vetëm për atë institucion ku punësohemi, jo për të tjera institucione private shëndetësore. Me këtë leje të punës ne nuk mundemi askund në institucione shëndetësore publike me u punësu, e nuk mundemi as në specializim me u regjistru. Kam dëgju që do t’bëhen disa ndyshime e përjashtime për neve të Luginës, mirëpo kur do t’fillojë zbatimi i këtyre ndryshimeve nuk e di”, ka thënë për Zërin ky student, në kushte anonimiteti.

    Për shkak të mungesës së licencës, studentët e Luginës së Preshevës, të cilët kanë përfunduar Fakultetin e Mjekësisë, nuk kanë mundësi të regjistrohen edhe në specializim. Ky student thotë se këtë vit janë bërë disa ndryshime, por që fatkeqësisht ai nuk ka qenë në dijeni dhe e ka humbur mundësinë që të regjistrohet në specializim.

    “Kam dëgju që do t’bëhen disa ndryshime e përjashtime për neve të Luginës, mirëpo kur do t’fillojë zbatimi i këtyre ndryshimeve nuk e di. Unë këtë vit nuk kam mundur të regjistrohem në specializim sepse nuk kam qenë e informuar, mirëpo disa bashkëvendës të mi nga Lugina më kanë treguar që e kanë bërë një përjashtim për neve të Luginës dhe na kanë mundësuar që vetëm me certifikatën e provimit të licencës të vazhdojmë specializimin. Tash unë kurdo që hapet afati për specializim, m’duhet me kshyr me provu për me u regjistru, sepse s’kam qenë i informuar për këtë ndryshim që tash së fundmi e kanë bërë”, është shprehur në kushte anonimiteti ky student (emër i njohur për redaksinë).

    Edhe për udhëheqësit politikë në Luginën e Preshevës është shqetësues moszbatimi i Marrëveshjes për njohjen e diplomave.

    Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanocit, thotë se pavarësisht arritjes së katër marrëveshjeve, Serbia vazhdon të mos i zbatojë ato.

    “Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë probleme të mëdha, para së gjithash kemi një problem të madh sa i përket mosnostrifikimit të diplomave të të rinjve, të cilët marrin diploma në universitetet e Republikës së Kosovës, edhe pse deri më tash janë arritur katër marrëveshje, nuk kemi përparime”, ka thënë për Zeri.info Nagip Arifi, kryetar i Bujanocit.

    Përfaqësuesi i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë për Zeri.info se mosnjohja e diplomave vazhdon të jetë sfidë dhe problem për studentët dhe kuadrot e tyre në Luginë të Preshevës.

    Kamberi ka konfirmuar se nga Qeveria e Kosovës kanë marrë zotimin se do të krijohet një udhëzim administrativ, përmes të cilit do t’u mundësohet studentëve të Luginës së Preshevës të pajisen me licenca dhe kështu t’u mundësohet edhe punësimi në institucionet publike shëndetësore në Kosovë.

    “Ky është një problem që u shkaktohet kuadrove tona për Kosovë, sepse në Serbi nuk i vlen fare diploma. Nëse nuk vlen diploma nuk vlen as specializimi, mandej as licenca. Ky problem ka të bëjë me atë përfaqësues shqiptarë që jetojnë në Kosovë. Kemi marrë premtime se kjo me një udhëzim administrativ do të tejkalohet, akoma nuk është tejkaluar, por po shpresojmë që kjo do të shkojë në rrugën e duhur. Megjithatë ne jemi të interesuar që ata t’i sjellim këtu, e jo t’i lëmë në Kosovë”, ka thënë Kamberi.

    Edhe nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës kanë bërë të ditur për Zeri.info, se studentët e Luginës së Preshevës të cilët kanë përfunduar studimet në mjekësi duhet të bëjnë një kërkesë për pajisjen me licencë.

    “Bazuar në legjislacionin në fuqi, UA (QRK) nr. 10/2022 për Licencimin e Profesionistëve Shëndetësorë të Huaj, të gjithë profesionistët shëndetësorë që kanë kryer shkollimin e mesëm, universitar, specialistik dhe subspecialistik në institucionet e Republikës së Kosovës, mund të parashtrojnë kërkesë për licencim pranë Ministrisë së Shëndetësisë, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Nenin 14 (Thjeshtimi i procedurës dhe kushteve) të këtij Udhëzimi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

    Zeri.info ka mësuar se Ministria e Shëndetësisë së shpejti do të krijojë edhe një udhëzim administrativ, i cili në krahasim me studentët e huaj që përfundojnë studimet në mjekësi në Kosovë, studentët e Luginës së Preshevës do të kenë mundësi që të pajisen me licencë njësoj sikurse ata kosovarë. Mirëpo një ndryshim i tillë kërkon kohë, pasi ai së pari duhet të propozohet nga ministri dhe të votohet në Qeveri e më pas Kuvendi është ai i cili miraton një ndryshim të tillë. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark