×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    MSH e shpërblen me dy lote mbi 838 mijë Euro kompaninë të cilën Vitia dhe Bardiqi e akuzuan për falsifikim në tenderin për insulina

    Insajderi
    06 July 2023 - 15:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministria e Shëndetësisë e ka shpërblyer me dy lote në vlerë mbi 838 mijë Euro kompaninë “Pharma Leader”, të cilën ministri Arben Vitia dhe Sekretari Naim Bardiqi e akuzuan se kishte falsifikuar një dokument në tenderin për insulina.

    Kompania “Pharma Leader” është shpërblyer me dy lote në vlerë 838,281 Euro nga Ministria e Shëndetësisë në tenderin me titull “Furnizim me produkte specifike dhe insulina analoge nga Lista Esenciale” i inicuar në mars të këtij viti, raporton Gazeta Shneta.

    Në këtë tender kanë qenë gjithsej 6 lote, katër prej të cilave janë shpallur në muajin maj ndërsa lot 1 dhe 2 janë shpallur ditën e djeshme.

    Për këto dy lote të cilat janë për ilaçin “Interferon beta 1a 22mcg” në vlerë 125,481 Euro dhe lot 2 “Interferon beta 1a 44 mcg” në vlerë 712,800 Euro, kompania “Pharma Leader” pritet të nënshkruaj kontratën pas katër ditësh më 10 korrik.

    Dy kontratat meqë janë me vlerë të lartë supozohet të nënshkruhen edhe nga dy krerët e Ministrisë së Shëndetësisë, ministri Arben Vitia dhe Sekretari Naim Bardiqi.

    E, Vitia dhe Bardiqi vetëm para pak javësh e kanë akuzuar kompaninë “Pharma Leader” për falsifikim të një dokumenti në tenderin për insulina.

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për media më datën 13 qershor, Vitia dhe Bardiqi prezantuan një dokument të kësaj kompanie me titull “Statement” me anë të të cilit “Pharma Leader” supozohej se kishte marr autorizimin për të ofertuar në tenderin për insulina nga kompania “PharmaTrejd” në Maqedoninë Veriore.

    Por kjo e fundit e kishte mohuar lëshimin e këtij dokumenti në një përgjigje për MSH-në, për çka Vitia dhe Bardiqi than se dokumenti rezultoi i falsifikuar dhe të njëjtin e kishin dorëzuar në organet e drejtësisë. Një ditë më vonë zyrat e “Pharma Leader” u hetuan nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati Farmaceutik.

    Tenderi për insulina i cili ishte anuluar nga MSH disa ditë më herët, nuk u kundërshtua më nga kompania “Pharma Leader” e cila luftoi për këtë tender që nga viti 2020, ndonëse nuk kishte Autorizim Marketing për produktin e saj të lëshuar nga Agjencia për Produkte Medicinale në Kosovë.

    Vitia dhe Bardiqi vazhdimisht kanë kundërshtuar nënshkrimin e kontratës me kompaninë “Pharma Leader” për shkak të mungesës së AM-së. Madje ministri në një konferencë për media para disa muajsh pati alarmuar se kanë presion nga Organi i Shqyrtimit Publik dhe prokuroria për ta nënshkruar këtë kontratë e cila sipas tij do të rrezikonte shëndetin publik.

    Ndërkaq Bardiqi kishte thënë se do të jepte dorëheqje dhe nuk do ta nënshkruante kontratën. Madje ai pati akuzuar kompaninë “Pharma Leader” për tentim të dhënies së ryshfetit përmes palëve të treta. Këto pretendime Bardiqi i kishte bërë publike në një intervistë për media, e më pas pati thënë se i ka denoncuar edhe në Policinë e Kosovës.

    Në sagën e këtij tenderi u kërkuar edhe shkarkimi i njërës prej anëtareve të panelit në OSHP, Kimete Gashi. /Gazeta Shneta/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark