×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    MSH: Inspektorati asnjëherë nuk e ka inspektuar ordinancën “Doktorat”, e mbylli pas vdekjes së 35-vjeçares

    Insajderi
    23 August 2023 - 16:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministria e Shëndetësisë e ka konfirmuar se Inspektorati Shëndetësor nuk e ka inspektuar asnjëherë ordinancën “Doktorat” ku vdiq gruaja 35-vjeçare pas heqjes së dhëmbit. Kjo ordinancë nuk ka pasur licencë tjetër përveç shërbimit të gjinekologjisë.

    Ordinanca “Doktorat” ku dyshohet se ka vdekur gruaja 35-vjeçare pas heqjes së dhëmbit, nuk është inspektuar asnjëherë nga Inspektorati Shëndetësor.

    Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se kjo ordinancë ka qenë e licencuar vetëm për shërbime të gjinekologjisë. “IPSH ‘Doktorat’ është e licencuar me datën 17.06.2021, e vlefshme deri me datë 16.06.2026 si Ambulance Specialistike e Gjinekologjisë me themelues Znj. Hanife Karaxha. IPSH ‘Doktorat’ në Malishevë nuk është inspektuar më parë nga Inspektorati Shëndetësor”, ka deklaruar MSh për Gazetën Shneta.

    Nga kjo ministri nuk kanë treguar se në emër të cilit specialist janë licencuar shërbimet e gjinekologjisë.

    MSh kanë thënë se nga komisioni është vlerësuar se ordinanca i ka përmbushur të gjitha kushtet për licencim.

    “Sipas vlerësimit të Komisionit vlerësues i përberë nga përfaqësuesi i MSh-së, përfaqësuesi komunal respektiv dhe profesionisti shëndetësor për fushën përkatëse, është konstatuar se institucioni në fjalë i përmbush të gjitha kriteret për licencim në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

    MSh ka konfirmuar se ordinanca “Doktorat” tashmë është mbyllur nga Inspektorati.

    “Inspektorati Shëndetësor, me datën 22.08.2023 ka vendosur shenjën për ndërprerje të përkohshme të veprimtarisë në IPSH ‘Doktorat’ në Malishevë”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.

    Nga MSh poashtu kanë konfirmuar se “Ambulanca Stomatologjike ‘FLORI’ me seli në Malishevë është licencuar nga Ministria e Shëndetësisë me datë 08.06.2021 dhe posedon licencë valide deri me 07.06.2026”. Kjo ambulancë ndonëse ka licencë valide nga MSh, pronari i saj Xhavit Karaxha e ka shuar si biznes në vitin 2021.

    Mjeku specializant i stomatologjisë Xhavit Karaxha dhe Hanife Karaxha janë arrestuar dje pas vdekjes së pacientes L.Sh. e cila kishte shkuar në ordinancën “Doktorat” për të hequr një dhëmbë.

    Familjarët kanë deklaruar se të ndjerës pasi i ishte injektuar anestezionit i ishte ënjtur fyti dhe nuk kishte mundur të flas më. Ajo ishte dërguar në Emergjencën e QKUK-së, por fatkeqësisht kishte mbërritur pa shenja jete.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark