×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    MSH thotë se duhet të dënohen të gjithë politikanët që thyen Ligjin antiCovid, Policia s’e merr asnjë masë

    Insajderi
    09 December 2020 - 15:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Xheneta Uka

    Kanë kaluar më shumë se një javë që nga mbajtja e zgjedhjeve në komunën e Podujevë.

    Ani pse u mbajtën në kohë pandemia nuk munguan tubimet nga krerët politikë të partive që kandiduan për të parin e kësaj komune.

    Masat antiCovid-19 përveç që nuk gjetën zbatim, ato u shkelën për një javë rresht nga zyrtarët politikë që kishin zgjedhur t’i përkrahnin prijësit e tyre në këtë komunë.

    Vendimin për masat antiCovid e mori vetë, por i pari i Qeverisë, Avdullah Hoti nuk e respektoi atë, kur kërkoi votën për Nexhmi Rudarin.

    Së bashku me Hoti ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, dhe zyrtarë të tjerë të LDK-së si: Ismet Beqiri, Arben Gashi, Besa Gaxheri dhe Fidan Rekaliu.

    Hiç më mirë nuk kishin vepruar as zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt ky që për kandidat kishte Shpejtim Bulliqin.

    Kreu i kësaj partie Albin Kurtit, kishte zgjedhur që çdo ditë të fushatës të ishte prezent në Llap.

    E çdo takim i tij kishte më shumë se pesë qytetarë. Liigji për Parandalimin e Pandemisë, ndalon grumbullimet, thotë se nuk mund të mblidhen më shumë se pesë qytetarë.

    Njësoj kishin vepruar edhe nga Partia Demokratike Kosovës, kandidati i së cilës ishte Naim Fetahu.

    U.d i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, kishe shkuar gjatë fushatës në Podujevë për ta mbështetur bashkëpartiakun e tij, por njëjtë s’i respektoi masat antiCovid.

    Ai shihet në një ambient të mbyllur, ku asnjë person nuk mban maskë, dhe ku të pranishëm janë më shumë se dhjetë persona.

    Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, thotë se shkelja e masave antiCovid vlen për të gjithë, përfshirë edhe personat që bartin përgjegjësi politike e publike.

    Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën Insajderi edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

    “LIGJ PËR PARANDALIMIN DHE LUFTIMIN E PANDEMISË COVID-19 NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, vlen për të gjithë, përfshirë edhe personat që bartin përgjegjësi politike e publike”, thotë MSH, shkruan Insajderi.

    Madje ku institucion shëndetësor citon Ligjin antiCovid, ku thotë se “organet kompetente për shqiptimin e masave ndëshkimore, sipas nenit 23 të këtij ligji (Policia e Kosovës, Inspektorati shëndetësor, inspektorati farmaceutik, inspektorati sanitar dhe inspektoratet komunale), duhet të zbatojnë masat ndëshkimore të përcaktuara me këtë ligj ndaj atyre që e shkelin”.

    Edhe përkundër këtij ligji Policia e Kosovës nuk ka shqiptuar asnjë gjobë deri më tani ndaj politikanëve të cilët shkelën masat antiCovid-19 gjatë zgjedhjeve në Podujevë.

    Gazeta Insajderi ka pyetur Zyrën për Informim Prishtinë, se çfarë masash do të ndërmarrin ndaj zyrtarëve politikë që shkelën masat antiCovid-19, e njëjta ka thënë se Policia nuk mund të jetë në secilën ngjarje.

    “Duhet ta kemi parasysh që edhe tani, por edhe në të ardhmen mund të ketë ndonjë situatë apo ngjarje kur policia nuk do të mundë të jetë prezent në kohë reale, por ne po bëjmë gjithçka të mundur për të qenë aty ku është e domosdoshme prezenca jonë për sigurinë e të gjithëve”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Insajderin.

    “Sidoqoftë ne do të vazhdojmë punën tonë për të kryer detyrat tona primare dhe të veçanta aty ku kërkohet dhe në të njëjtën kohë presim nga të gjithë pa përjashtim të jenë në nivelin e kërkuar”, vazhdon përgjigja e Policisë për Insajderi.

    Të gjitha takimet dhe tubimet e krerëve politikë ishin publikuar nëpër rrjete e tyre personale./GazetaInsajderi/

    Shiko edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark