Insajderi
Analiza

Muja tenton të shfajësohet për kontratat me NOA-n duke i lënë “faj” njeriut që pushteti i VV’së e solli në krye të KEK’ut pas arrestimit të Nagip Krasniqit

Insajderi
03 December 2025 - 14:49
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Muja tenton të shfajësohet për kontratat me NOA-n duke i lënë “faj” njeriut që pushteti i VV’së e solli në krye të KEK’ut pas arrestimit të Nagip Krasniqit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka dalë në konferencë për media për t’u shfajësuar lidhur me kontratat për importin e energjisë elektrike. Kur ka folur për kontratat e para të KEK’ut me NOA-n, ka thënë se janë nënshkruar katër ditë para ardhjes së Nagip Krasniqit, më 11 nëntor të 2021-ës nga Përparim Kabashi. Megjithatë, siç dihet Kurti pushtetin e kishte marrë pas shkurtit të atij viti dhe personit në fjalë i ishte besuar pozita e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KEK’ut pas pezullimit nga detyra të Krasniqit.

Në konferencën për media, Muja akuzoi qeverisjet e kaluara duke thënë se në kohën e tyre dominonte importi nga Serbia, por jo edhe në kohën kur në qeveri erdhi partia e tij. Madje, për kontratën me NOA-n thotë se u nënshkrua më 11 nëntor të 2021-ës nga Përparim Kabashi, ish-kryeshef ekzekutiv i KEK’ut, shkruan Gazeta Insajderi.

“KEK u shet tepricë elektrike gjatë natës dhe ditës pastaj këto subjekte e procedojnë dhe kontrata me NOA ME 9 maj i përfaqësuar nga Gentian Skendersyla i nënshkruar nga Njazi Thaçi. Me NOA me 11 nëntor 2021 nga Përparim Kabashi, kjo kontratë është nënshkruar katër ditë para ardhjes së Nagip Krasniqit në krye“, deklaroi ndër të tjera ai.

Përkundër që Muja ka tentuar që të distancohet dhe të mos e prezantojë Kabashin si njeri të tyre, pushteti i Kurtit pas arrestimit të Krasniqit për keqpërdorim të detyrës zyrtare ia kishte besuar pozitën e Krasniqit si ushtrues detyre për më shumë se një vit.

Kabashi ushtronte detyrën e të parit të KEK’ut deri në emërimin e Bekim Gërgurit. Po ashtu, vlen të theksohet se në fillim të mandatit të 2021-ës, nga marsi e tutje, kishte shkarkuar kryeshefa e borde të pushteteve të kaluara në masë të madhe.

Vetëvendosje vendosi që ta mbante këtë person në pozitën e u.d. kryeshefit, përkundër se kishte raportime të konfirmuara se Prokuroria Themelore në Prishtinë po kryente hetime ndaj Kabashit. Ndaj tij hetimet kishin filluar në mars të vitit 2022, nën dyshimet se Kabashi ka nënshkruar një kontratë për shitjen e thëngjillit në vlerë 1.6 milion euro, pa i verifikuar nëse procedurat e zhvilluara kanë qenë në përputhje me ligjin në lidhje me aktivitetin e prokurimit.

Muja është parë i “sfiduar” në konferencën për media teksa ka folur për kontratat me Vuk Hamoviqin.

Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje është përballur kohëve të fundit me kritika dhe akuza lidhur me mënyrën e menaxhimit të tregut të energjisë elektrike, veçanërisht për importet e kryera gjatë periudhave me mungesë të prodhimit vendor.

Ish-anëtarë të opozitës dhe disa ekspertë të sektorit kanë ngritur shqetësime se një pjesë e këtyre importeve po realizohen nga kompani të lidhura me biznesmenin serb Vuk Hamoviq, i njohur prej vitesh në rajon për operim në tregtinë e energjisë. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark