×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Mungesa e anesteziologëve në QKUK – Listat e pritjeve për operacione deri në tri vjet

    Insajderi
    23 September 2022 - 15:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pacientët në Kosovë, të cilët vuajnë nga problemet me venat e gjakut, duhet të presin deri në tre vjet për të kryer një operacion në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Shkaktar kryesor i pritjeve sipas drejtuesve të klinikave, është mungesa e anesteziologëve

    Pacientëve kosovarë shpesh iu bie të presin gjatë për t`iu nënshtruar operacioneve në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

    Gazeta Insajderi, ka kërkuar të dijë se sa është pritja në tri prej këtyre klinikave – në atë të Kirurgjisë Vaskulare, Kirurgjisë Torakale dhe Kirurgjisë Abdominale. Del se pritja shkon deri në tre vjet.

    Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari, ku pritjet janë më të gjatat në një deklaratë për Gazetën Insajderi, tha se lista pritjes në këtë klinikë ka qenë deri në pesë vjet, por se është zvogëluar në tri vjet.

    Sipas Rudarit, arsyeja e pritjes kaq të gjatë është mungesa e anesteziologëve në vend.

    Siç thotë Rudari,  patologjia e venave nuk rrezikon jetën andaj pacientët e sëmurë rëndë trajtohen me prioritet, të tjerët presin.

    Përveç patologjisë së venave për rastet e tjera nuk ka listë të pritjes, tha Rudari.

     “Sa i përket venave kemi listë të pritjes deri në tre vjet. Arsyeja është mungesa e anesteziologëve për momentin. Për raste tjera nuk ka listë të pritjes. Vitet e kaluara pritjet kanë qenë deri në pesë vjet, fatmirësisht e kemi zvogëluar në tre vjet. Patologji e venave nuk rrezikon jetën”, tha së Rudari për Insajderin.

    Klinika e Kirurgjisë Vaskulare është e vetmja në Kosovë që merret me patologjinë e venave, të arterieve, të shputës diabetike e të tjera.

    Më mirë nuk qëndron as Klinika e Kirurgjisë Torakale. Në këtë klinikë, ku trajtohen sëmundje të gjirit dhe të kafazit të kraharorit, lista e pritjes arrin deri në nëntë muaj.

    Drejtori i kësaj klinikë, Nazmi Kolgeci i tha Gazetës Insajderi, se shkak i pritjeve të gjata përvec anesteziologëve është edhe mungesa e një salle operacioni.

    Kolgeci madje tregoi se nuk kanë mund të planifikojnë operacione për ditën e sotme, pasi paraprakisht janë njoftuar se nuk do të kenë anesteziolog,

    “Momentalisht është rreth 9 muaj lista e pritjes. Tash jemi duke e pritur sallën e dytë që të hapet, pasi ne kemi vetëm një sallë në dispozicion. Me dy salla mund të ja dalim por kemi mungesë të anesteziologëve. Për shembull, javën e kaluar na kanë njoftuar që për të premten nuk kemi operacion për shkak se nuk ka anesteziolog”, tha Kolgeci për Insajderin.

    Klinika e Kirurgjisë Abdominale është e vetmja klinik e cila listën e pritjes e ka javore. Kështu tha drejtori, Ferat Sallahu në një prononcim për Gazetën Insajderi.

    “Ne i kemi lista javorshe nuk janë listat e gjata, ne gjithmonë jemi me kohë nuk kemi problem me listën e pritjes. Problem kemi me anesteziologëve. Sa i përketë barnave ne i kemi ndejtur më shumë gati dhe jemi prej klinikave më të furnizuar sa i përketë barnave dhe paijsjeve mjekësore”, tha Ferati për Insajderin.

    Nga Shërbimi Klinikë Universitari i Kosovës, i kanë thënë Gazetën Insajderi se janë duke punuar përmes një komisioni për të evidentuar listat e pritjes.

    “Një komision në nivel të QKUK-së, ka punuar dhe po punon për analizimin e listave të pritjes në nivel të QKUK-së. Komisioni do bëjë revidimin e listave dhe po ashtu, do të japë rekomandimet për këtë çështje, se si të reduktohen listat”, thuhet në përgjigjet e ShSKUK-së dhënë Insajderit.

    Ikja e anesteziologëve nga QKUK-ja

    Gazeta Insajderi, ka raportuar për fenomenin e ikjes së mjekëve nga sektori publik në atë privatë, i cili po shënon rritje masive.

    Në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv, vetëm brenda muajit gusht-shtatorit pesë anesteziolog kanë ofruar dorëheqjen nga kjo klinikë, për t’i vazhduar aftësitë e tij profesionale në një spital privatë.

    Në muajin gushtë të këtij vitin, ishte vet drejtori i kësaj klinike, Nehat Baftiu që dha dorëheqje nga detyra si Anesteziolog, në ShSKUK-së dhe që aftësitë e tij profesionale i vazhdoi në një institucion privat.

    Kurse, 9 shtator të këtij viti, ishte mjeku Burhan Hadri, i cili u larguar nga klinika e Anesteziologjisë për të vazhduar punën në spital privatë.

    Rrugën e largimit nga QKUK-ja, sikurse anesteziologu Burhan Hadri, e ndjekën edhe dy koleget e tij. Doktoreshat Dafina Matoshi dhe Myzejene Kryeziu lanë punën në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv, shkruan Insajderi.

    Për Gazetën Insajderi, ishte deklaruar drejtori i Anesteziologjisë, Gazmend Spahija. Ai tha se arsyeja e dorëheqjes se anesteziologut është paga e ulët në QKUK.

    “Burhan Hadri ka ofruar dorëheqjen tij nga 26 shtatori, pasi momentalisht gjendet në pushim vjetor. Arsyeja kryesore ka qenë paga pasi në spital privatë ka pagë më të lartë dhe ka kujdestarit me pak”, tha Spahiju për Insajderin./Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark