×
  • Lajme
  • Lajme

    Munguan në seancën e rastit ‘Toka’, iu shqiptohet gjobë nga 500 euro dy avokatëve

    Insajderi
    22 May 2024 - 12:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Seanca e rastit të njohur ‘Toka’ në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet shkak të mungesës së mbrojtësve të të akuzuarve Shaban Syla dhe Ilza Syla, avokatëve Adelina Hoxha dhe Haxhi Millaku, si dhe mungesës së të akuzuarit Ndue Palushi. Dy avokatëve iu shqiptua gjobë nga 500 euro.

    Për avokaten Adelina Hoxha, i mbrojturi i saj, Shaban Syla tha se ajo më nuk do të jetë mbrojtëse e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndaj Hoxhës, Gjykata shqiptoi gjobë prej 500 euro, me arsyetimin se nuk e ka njoftuar gjykatën se më nuk do të jetë mbrojtëse e Sylës.

    Edhe për mbrojtësin e Ilaz Sylës, avokatin Haxhi Millaku, Gjykata shqiptoi gjobë prej 500 euro me arsyetimin se mungoi pa arsye në seancë.

    Ndaj këtye gjobave, gjykatësi i rastit Arben Hoti njoftoi se avokatët kanë të drejtën e ankesës.

    Ndërkaq, për të akuzuarin Palushi, gjykatësi Hoti tha se nëse i njëjti gjatë ditës nuk e arsyeton mungesë, ndaj tij do të lëshohet urdhëresë për sjellje nën shoqërim të policisë për seancën e radhës.

    “E për të pandehurin Ndue Palushin, nëse paraqitet gjykata do të ketë parasysh nëse jo do të lëshojë urdhëresë për sjellje të shoqëruar nga policia”, tha gjykatësi Hoti.

    Në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

    Ndryshe, në këtë rast ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerët po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsion e krimin e organizuar.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

    Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, F.G, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

    Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

    Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive. Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark