Insajderi
Lajme

Mustafa kritikon qeverisjen e VV-së: Mungesa e rezultateve, sipas tij, e ka kthyer fokusin te shpërndarja e parave

Insajderi
24 July 2026 - 23:37
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Mustafa kritikon qeverisjen e VV-së: Mungesa e rezultateve, sipas tij, e ka kthyer fokusin te shpërndarja e parave
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka kritikuar mënyrën e përdorimit të parasë publike nga pushteti, duke thënë se mungesa e rezultateve të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë që fokusi të kalojë te shpërndarja e mjeteve financiare.

Duke folur në emisionin “Tempus” në T7, Mustafa ka deklaruar se një parti që qeveris për gjashtë vjet duhet të garojë me rezultatet e punës së saj dhe me atë që u ka ofruar qytetarëve.

“Një parti e cila qeveris gjashtë vjet do të duhej të garonte me rezultate të qeverisjes, do të duhej të kishte çka t’i tregonte qytetarit. Në mungesë të këtyre rezultateve, ky pushtet aktual e ka shndërruar rolin e vet vetëm në rolin e shpërndarjes së parave kohë pas kohe, sepse nuk kanë çfarë t’u tregojnë qytetarëve”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se, sipas tij, kjo çështje nuk duhet të mbetet vetëm në kuadër të përgjegjësisë politike, pasi partia në pushtet nuk e ndjen një përgjegjësi të tillë.

“Nuk mund të thuash se ka përgjegjësi politike kur një parti vendosë nëse do t’i zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo jo, bazuar në vullnetin e saj politik”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa ka thënë se mungesa e llogaridhënies reflektohet edhe në rastet kur, sipas tij, buxheti i shtetit përdoret si mjet politik, pa një vlerësim të qartë të efekteve dhe rezultateve të shpenzimeve.

Për këtë arsye, Mustafa ka bërë të ditur se PDK-ja do të mbështesë çdo iniciativë që synon kufizimin e diskrecionit të Qeverisë dhe parandalimin e përdorimit të interesit publik për interesa partiake.

Ndërkohë, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një nismë legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Një nga propozimet e kësaj nisme është që përdorimi i parasë publike për përfitime elektorale gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore të sanksionohet penalisht, me qëllim që fondet publike të mos përdoren për krijimin e avantazheve politike.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark