Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se treni ilegal që Serbia tentojë ta fuste brenda territorit të Republikës së Kosovës është një “provokim jo i ndershëm” për shtetin e Kosovës.
Mustafa është shprehur se situata me trenin ka qenë një “situatë krejtësisht e panevojshme e krijuar nga Serbia.”
“Jemi përballur me një situatë krejtësisht të panevojshme të krijuar nga Serbia. Qeveria dhe të gjitha dikasteret e saj janë angazhuar që të ndërmarrin të gjitha veprimet në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Duhet të theksoj se së bashku me kryeparlamentarin Kadri Veselin dhe presidentin Hashim thaçin pas kthimit në vend, kemi marrë të gjitha masat që të informojmë faktorin ndërkombëtar për këtë situatë, kemi mobilizuar të gjitha institucionet shtetërore, dhe janë ndërmarr të gjitha masat adekuate në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën”, ka thënë Mustafa.
Ky veprim, sipas Mustafës, është në vazhdën e “synimeve të mbrapshta të Serbisë për ta destabilizuar gjendjen në Kosovë”.
Kryeministri tha se “dje në Këshillin për Siguri kemi marrë vendim që të veprojmë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën” në raport me situatën e krijuar së fundmi.
“Hyrja e tij në Republikën e pavarur nuk do të lejohet, ose nëse rast se do të hynte, do të përballej në përputhje me ligjet e Kosovës. Jemi të përkushtuar që të mundësojmë lëvizjen e lirë, por nuk do të lejojmë provokime të tilla. Me këtë rast, më lejoni të theksoj vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me presidentin dhe kryeparlamentarin, të angazhohemi për të mbrojtur sovranitetin e vendit”, theksoi Mustafa. /Insajderi.com