Gazeta Insajderi ditën e sotme ka publikuar një video ku shihet mësuesi nga Dragashi, Dalip Meleqi duke ushtruar dhunë fizike e sjellje jo etike ndaj një nxënëse të shkollës fillore “Ilmi Bahtijari” në Bllaç të kësaj komune. Por, mësuesi Meleqi nuk shpëtoi paq për sjelljet e tij. Ndaj tij, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë vitin e kaluar me dyshimin për kryerjen e veprave penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “lëndim i lehtë trupor” dhe “hakmarrje”.
Por, çfarë thuhet më saktësisht në këtë aktakuzë dhe çka thonë dëshmitarët?
Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se me 13 maj të 2022’ës, mësuesi Dalip Meleqi kishte marrë rrypin e pantallonave të nxënësit me inicialet R.I dhe i kishte goditur nxënësit në duar. Ndërsa, kur njëra nga nxënëset kishte tentuar të mos i bindej, Meleqi i kishte thënë se “nëse nuk e mbani dorën e hani shpinës” , duke vazhduar kështu ti godas edhe më fortë tri nxënëse.
Kështu nga goditjet Meleqi i kishte shkaktuar lëndime trupore nxënëses F.Z.
“Më pas me forcë fillon t’ i godasë tri të dëmtuarat me nga dy goditje në duar, duke i shkaktuar dhembje fizike, frikë dhe fyerje të rëndë të dinjitetit, të cilat keqtrajtime tek e dëmtuara F.Z rezultojnë me lëndime të lehta trupore, përkatësisht ndrydhje të indeve të buta të parakrahut të majtë, të shoqëruara me gërvishtje të lëkurës, të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë të topitur, me teh ose maje“, thuhet në aktakuzën e ngritur nga prokurori Petrit Kryeziu.
Vetëm pesë ditë më vonë, me 17 maj 2023 në ShFMU “Hilmi Bahtijari”, mësuesi Meleqi me qëllim të hakmarrjes ndaj dy nxënësve që e raportuan në polici, në prani të të gjithë nxënësve të tjerë i fyen rëndë dhe ia mbyllë notat të dobëta në ditar dy nxënësve me inicialet F.Z dhe S.Z.
“Në mundësinë e parë që paraqiten në lëndën e Matematikës të cilën e mbanë i pandehuri/arsimtari Dalip Meleqi, i njëjti fillimisht në prani të gjithë nxënësve të klasës i fyen me fjalët “baba i kësaj (të dëmtuarës ) u kanë ma zero se zero, dërrasë (e godet tabelën), qetaj ka ardhë qika e atij ngelcit….. po me nxjerr në polici del ankohet atje, ta ndreqin dorën atje, a e ki në gips, a u kanë e djathta a e majta.. Babat kurrë s’ju kanë ditë, ngelca janë kanë (qeshet) edhe nanat me siguri”, pastaj në shenjë hakmarrje i drejtohet të dëmtuarave me fjalët “a keni mësu” ndërhynë një nxënëse “a don me ja’u qitë 1-sha”, i pandehuri përgjigjet “për këto ekstra, se këto janë vashat e milicisë, pe pa mundësojnë punën, mjerë këto i kanë qelë vetes telashe”“, thuhet tutje në aktakuzë.
Deklaratat e nxënëseve:
Në dokumentin e siguruar nga Insajderi thuhet se nxënësja me inicialet F.Z kishte marr trajtim mjekësor fillimisht në QKMF në Dragash, e pastaj ka vazhduar edhe në Spitalin e Prizrenit, me çka pos aspektit psiçik e njëjta kishte pësuar edhe lëndime të lehta trupore.
Përveç rrahjes me rryp, sipas nxënëses mësuesi Meleqi për tri vite rresht kishte ushtruar dhunë ndaj nxënësve duke i rrahur me shuplaka, vizore, kompas.
“E dëmtuara ka deklaruar se që 3 vite ky arsimtar i jep mësim dhe gjatë gjithë kohës në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve duke i rrahur me shuplaka, vizore, kompas të cilat janë mjete për ligjërimin e orës së matematikës, mirëpo për ato raste nuk e kishin njoftuar drejtorinë ngase ishin frikësuar nga arsimtari. Edhe për këtë rast e dëmtuara nuk e kishte njoftuar askë, të nesërmen kur ishte zgjuar në mëngjes prindi i kishte vërejtur shenjat në duar dhe e kishte pyetur se çfarë kishte ndodhur, atëherë i kishte treguar se i kishte rrahur arsimtari Dalip“, thuhet në aktakuzë.
Ndërsa, nxënësja tjetër me inicialet S.Z deklaroi se i pandehuri në fjalë ia kishte mbyllur notën 1 ndonëse kishte dhënë përgjigje të saktë.
“E dëmtuara, ka deklaruar edhe për hakmarrjen që i është bërë nga arsimtari pas raportimit të rastit në polici “sapo e kam raportuar këtë rast në polici më datë 14.05.2022, me datë 16.05.2022 (ditë e hëne) ka qenë dita e shkollës dhe nuk kemi punuar ndërsa me datë 17.05.2022 (ditë e marte), arsimtari menjëherë më ka qit në dërrasë të zezë mi ka parashtruar dy pyetje – detyra për të cilat mendoj që kam dhënë përgjigje të saktë, mirëpo atë ditë ma ka mbyllur notën e dobët“, thuhet në aktakuzë.
Tutje, nxënësi me inicialet R.I tregon se si ia kishte marr rrypin nga pantallonat mësuesi Meleqi, derisa tregoi se disa herë i kishte rrahur me shuplaka.
“Në grupin prej 6 djemve kam qenë edhe unë, ne e përsëritëm aq sa ditëm, na tha nuk po dini dhe na preku me shuplakë në qafë dhe ne vazhduam për në bankat tona, pastaj i ka qitë në tabelë 3 vajza dhe 2 djem, i pyeti edhe ata me aq sa ditën folën dhe arsimtari erdhi tek banka ime ku isha i ulur në fund të klasës në rreshtin e parë nga ana e majtë në bankën e fundit dhe më tha “ma jep rripin” unë e kisha rripin të vendosura në pantallona, unë thash “pse”, ai më tha “ma jep” dhe unë nuk kisha zgjidhje tjetër ja dhashë dhe me rripin tim i ka goditur nxënësit“, thuhet më tej.
Deklarata e të pandehurit Dalip Meleqi:
Por, i pandehuri Dalip Meleqi, në deklaratën e dhënë në prokurori kishte mohuar se t’ i ketë shkaktuar lëndime trupore nxënëses F.Z, duke pretenduar se goditjet kanë qenë të lehta.
Meleqi kishte deklaruar se vetëm i kishte prekur pas qafe sa për t’i qortuar nxënësit, derisa shtoi se ia kishte mbyllur notat e dobëta dy nxënëseve për shkak të raportimit në polici dhe në media.
“I njëjti ka qenë gjatë gjithë kohës kundërthënës me deklaratën e tij personale duke u munduar t’i shmanget përgjegjësisë penale dhe për notat e dobëta ka deklaruar “sapo kam shkuar në shkollë pasi që kisha në orar të mbaja lëndën e matematikës, dy nxënëset i kam thënë “hajde dilni të pyeteni në dërrasë të zezë sepse po dishi me fol e me dhanë intervista, hajde të ju shoh sa jeni në mësime”, pasi i kam pyet të dyjave ua kam vënë notën e dobët madje jam bërë i ashpër dhe ja kam mbyllur notat e dobëta përfundimtare. Këtë e kam bërë në bazë të emrave sepse ka ndikuar ngjarja sepse ato më raportuan në polici dhe media dhe nuk e di se si nuk ju ka ardhur marre”,
I ballafaquar nga prokurori i shtetit me prova materiale, me audio-incizime nga ora mësimore, ai pranoi në tërësi duke deklaruar “Po unë jam personi që po flet“.