Rafael Nadal rikthehet të luajë në sipërfaqje me bar pas tre vitesh dhe këtë do ta bëjë në një nga turnetë më të rëndësishëm, në mos më i rëndësishmi, Wimbledon
. Tenisti nga Mallorca vjen pas triumft në Roland Garros ku iu desh të luante nën efektin e gjilpërave për të mos ndjerë dhimbjet në këmbën e dëmtuar. Megjithatë, Nadal e fitoi për herë të 14-të Roland Garros dhe tashmë edhe pse do të jetë shumë më e vështirë do të provojë të triumfojë edhe në Wimbledon. Një ditë para se të startojë turneu, Rafa shprehet se tashmë arrin të ecë normalisht dhe nuk ka më dhimbje kur zgjohet në mëngjes.
“Po e shijoj këtë periudhë, do të luaj në një fushë me bar pas tre viteve. Por, nëse jam këtu do të thotë se gjërat po shkojnë mirë, përndryshe nuk do të merrja fare pjesë. Nuk e di si do të shkojë, pasi ndoshta ky është turneu më i vështirë për t’u parashikuar. Është një sipërfaqje e cila kërkon që të kalosh sa më shumë kohë në të për t’u përshtatur, unë nuk luaj në një të tillë prej kohësh dhe kjo e komplikon. Jam stërvitur shumë dhe një mëngjes i kisha sytë shumë të lodhur, por më pas u stërvita mirë dhe pa ndjerë dhimbje.
Stërvitem që momentet e këqija gjatë lojës të jenë sa më të pakta. Tani eci normalisht dhe kur zgjohem nuk kam më dhimbje, diçka që më shoqëroi për thuajse një vit e gjysmë. Në javët e fundit nuk kam pasur dhimbje të padurueshme, në përgjithësi jam pozitiv dhe mendoj se do të shkoj mirë. Unë nuk mendoj për triumfet e së shkuarës sepse jeta dhe sporti ecin shumë shpejt. E kaluara është në muzeun tim, trofetë janë aty dhe është diçka që më bën shumë krenar. Gjashtë muajt e parë të këtij viti nuk kanë qenë të lehtë duke marrë parasysh dhimbjet në këmbë, por nuk e bëj dramë sepse në jetë ka edhe situata më të vështira, ne jemi thjesht duke folur për tenis.
Këtë vit në Wimbledon ka një ndryshim sa i përket topit të lojës, ai është më i rëndë. Është i ndryshëm nga ai që jemi mësuar. Nga pikëpamja e një tenisti mua më duket diçka e gabuar. Me topin që është më i rëndë, duhet të lëvizësh shpejt. Është një fushë që nuk të jep mundësinë të mendohesh, ndaj duhet të godasësh i vendosur pasi përndryshe gabon ose kundërshtarët të sulmojnë. Dhe më pas ata fitojnë konfidencë, nuk duhet të ndodhë”, u shpreh Nadal, i cili e nisi vitin me triumfin në Australian Open, vazhdoi me Roland Garros dhe tashmë kërkon Wimbledon. Ndeshjen e parë, spanjolli e luan të martën ndaj argjentinasit Francisco Cerundolo. Kujtojmë se Wimbledon mund ta ndiqni nga dita e hënë përmes Supersport në platformën Digitalb.