Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës do të mblidhet sot për të diskutuar vendimin e fundit të ministres Rozeta Hajdari për çmimin e naftës.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani tha për Gazetën Insajderi se të enjten do të mblidhen për të diskutuar dhe shqyrtuar vendimin e ministres për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.
Aty pritet të merret dhe një vendim
“Sot kemi takim në ora 11:30. Ne akoma nuk kemi marrë kurrfarë vendimi. Çdo vendim që merret, kompanitë e mëdha i lodhë, ndërsa kompanitë e mesme dhe të vogla i shkatërron”, tha Berjani.
Takimi do të mbahet në orën 11:30.
Ndryshe, Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës, “me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg”
Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.
“Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtrishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.