×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Nagip Krasniqit i ecë paga edhe nga burgu, deri tash i mori shtatë mijë euro nga kuleta e shtetit

    Insajderi
    07 September 2023 - 12:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kuleta e ish-kryeshefit të Koorporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, po mbushet edhe teksa ky i fundit po qëndron në paraburgim. Krejt kjo, falë një vendimi që ndërmori Bordi i Drejtorëve të KEK-ut, i cili pezulloi nga detyra e kryeshefit Krasniqi për shkak të fillimit të hetimeve ndaj tij.

    Sipas një përllogaritje të rrogës së përgjysmuar, Krasniqi i mori në total shtatë mijë euro falë vendimit që ia mundësuan KEK-u. Kjo, duke marrë nga 1,750 euro për katër muaj sa po qëndron në paraburgim.

    Pagesa e njëjtë pritet t’i vijojë edhe në muajin shtator, meqë bordi i KEK-ut nuk duket se e ka ndërmend ta shkarkojë Krasniqin. Për Krasniqin, u caktua masa e paraburgimit për dy muaj në gjysmën e gushtit të këtij viti.

    Krasniqi nga KEK-u, deri në momentin e pezullimit, i merrte 3500 euro në muaj si kryeshef i ndërmarrjes energjetike.

    Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë disa herë kryetarin e bordit të KEK-ut, Skender Hazirin, që nga momenti i masës së pezullimit ndaj Krasniqit, por i njëjti s’ka qenë asnjëherë i qasshëm.

    Krasniqit për herë të fundit iu është vazhduar paraburgimi në gjysmën e gushtit nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

    Krasniqi u arrestua më 19 prill të këtij viti, nën dyshimin për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “ushtrim i ndikimit” dhe “konflikt i interesit”.

    Ish-kryeshefi i KEK-ut është i dyshuar për nënshkrimin e një kontrate me procedurë të negociuar me kompaninë “Litëin SA” në partneritet me Bujari B. Shala B.I. për riparim kapital emergjent të kaldasë së bllokut A5 të termocentralit “Kosova A”, në vlerë mbi 3.4 milionë euro.

    Në fillim të shkurtit të këtij viti Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nënshkroi kontratë mbi 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA”. Puna që duhej të kryente kjo kompani dhe partneri vendor “Bujar B. Shala B.I.”. ishte për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

    Kontrata ishte e negociuar dhe u bë shpejt. Derisa vet thirrja u shpall më 27 janar, 2023, njoftimi që është lidhur kontrata u bë më 3 shkurt.

    Me këtë kontratë pritej që të kthehej në punë ky bllok në fillim të muajit prill 2023.

    Derisa kompania “Litwin SA” ishte në garë edhe në një tender të anuluar më herët po për riparimin e bllokut A5, kpmpania Bujar B. Shala B.I. , sipas Agjencisë e Bizneseve del që është regjistruar më 25 janar të vitit 2022 dhe aktivitet primar e ka “Tregtia tjetër me pakicë, jo në dyqane, tezga ose tregje”.

    Gazeta Insajderi pati raportuar për shkarkimin e Shemsi Hazirit, shefin e Njësisë së Veçantë të Hetimeve, i cili udhëhiqte hetimet për Nagip Krasniqin dhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark