×
  • Lajme
  • Lajme

    Naim Bazaj – I arrestuari për armatim që krahasoi Kadri Veselin me Rankoviqin

    Insajderi
    18 November 2016 - 00:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Paradite, Naim Bazaj, që ishte kandidat i pavarur për të parin e Drenasit, kishte folur për media duke dalë kundër kandidatit të PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke thënë se ai nuk ka të drejtë të kandidojë pas është banori më i ri në komunën e Drenasit.

    “Shkoni në qendrën e regjistrimit në Drenas dhe i merrni dëshmitë e tij sepse është e vërtetë që s’ka qenë kurrë banor i Drenasit. Pas luftës ai ka qenë banor i Prishtinës. Mund të them se Lladrovci është banori më i ri i Drenasit”, ka thënë Bazaj i cili njëkohësisht është edhe Kryesues i Kuvendit Komunal në këtë komunë.

    E pasdite, ku qindra qytetarë ishin mbledhur për ta pritur ta shpallë kandidaturën e tij për kryetar, Bazaj doli para masës së bashku me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, duke thënë se është tërhequr nga gara dhe se do të mbështesë PDK-në dhe ish-diplomatin e Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovcin.

    E kjo i kushtoi me fishkëllima pikërisht nga elektorati që ishte mbledhur ta dëgjonte teksa ai do të shpallte kandidaturën e tij të pavarur. Qytetarët reaguan njëjtë edhe ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ani pse ai dhe Bazaj u panë të jenë shumë të afërt.

    Kështu nuk ishte gjendja edhe para 10 dite, kur Bazaj priste nga Veseli që ta kandidonte atë për kryetar të Drenasit e jo Lladrovcin.

    kadrives

    Pasi me 2 nëntor, Bazaj kishte thënë në emisionin “Kontakt”, se “i kishte dërguar shkresë Veselit për ta kandiduar”, me 8 nëntor, kur PDK-ja dhe Kadri Veseli në Drenas, vendosën që të mos e marrin parasysh këtë shkresë, por ta kandidonin Lladrovcin, Bazaj kishte shpërthyer me akuza.

    Duke folur për KosovaPost, Bazaj e kishte krahasuar Veselin edhe me një nga figurat famëkeqe të ish-Jugosllavisë, Aleksandar Rankoviq.

    “Nuk është e vërtetë që e ka emëruar Kryesia e Drenasit, por emërimin e Lladrovcit e ka bërë selia qendrore e PDK-së. Kryesia e Drenasit të gjithë ishin të pakënaqur me emrin e Lladrovcit dhe nuk e mbështeten emrin e tij pothuajse askush. Por Kadri Veseli erdhi me zarf si në kohën e Rankoviqit dhe tha: ‘Urdhëroni ky do të jetë kryetari’”, kishte thënë Bazaj.

    Të enjten pasdite, Bazaj tha se PDK-ja është një parti me të cilën ai gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet.

    Duke folur për televizionin lokal të Drenasit, “StarTv”, Bazaj pasi doli nga restoranti ku gjendja ishte goxha e tensionuar pas vendimit të tij “burrëror” sipas Veselit, për t’u tërhequr, tha se nuk ka kurrfarë marrëveshje me Veselin, por këtë po e bënte për hir të “të atyre personave që u dënuar në grupet Drenica 1 dhe II”.

    Tha se nuk e donte PDK-në të përçarë në Drenas.

    kadri

    “E pamë që i gjithë elektorati i Partisë Demokratike të Kosovës, u nda në dysh, dhe për këtë arsye, nuk jam unë kundërshtari i atyre, që të jem ndaras, por të jem së bashku të gjithë”, ka thënë Bazaj, të enjten në mbrëmje.

    Një kthim prapa në karrierën e Bazajt, shpërfaqë faktet se ai ka qenë i lidhur edhe me raste ilegale.

    Mirëpo, Naim Bazaj del të jetë një person kontravers, pasi që pikërisht para dhjetë vitesh ai ishte arrestuar gjatë një operacioni të Shërbimit Policor të Kosovës, ku atij dhe Skenderbe Hebibit e Mursel Bilallajt i cili gjetur një sasi e madhe armatimi, duke përfshirë edhe topa pa dridhje, maska dhe granata antitank.

    Atë kohë kishte qenë kryetar i Degës së Aleancës për Ardhmërinë  e Kosovës, në Drenas dhe këshilltarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Menjëherë pas arrestimit kishte reaguar edhe ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ibrahim Selmanaj, i cili e kishte shkarkuar nga detyra e këshilltarit politik.

    Edhe partia e drejtuar nga Ramush Haradinaj e kishte përjashtuar nga partia.

    “Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate për media të enjten, ka njoftuar se për shkak të implikimeve në aktivitete të kundërligjshme dhe në shpërpushje me qëndrimet e vazhdueshme të partisë për rend, ligj, qetësi dhe siguri në Kosovë, e ka përjashtuar nga partia Naim Bazajn, kryetar i deritashëm i Degës së AAK-së në Drenas”, thuhej në njoftimin e AAK që mbanë datën 21 dhjetor 2006.

    kadrinaimi

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, të asaj kohe, Bazajt gjatë bastisjes i ishin gjetur një sasi e konsiderueshme e armëve, sikurse 116 copa granata artilerie si dhe granata antitank me dhe pa fragmente të kal 75 mm;dy armë automatike (mitrolez)të kalibrit 7.62 PKT; një top pa dridhje të kalibrit 75 mm; 2 granata dore së bashku me mbajtëse të armatimit (gjoksore); një sasi e uniformave ushtarake; disa maska kundër helmit dhe mbi 2500 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

    Pasi kishte kaluar përballjen me drejtësinë, duke mos u kaluar kohë në burg, Bazaj prej AAK-së ku ishte përjashtuar kishte aderuar në PDK.

    Në zgjedhjet e fundit ai bëhet kryesues i Kuvendit Komunal të Drenasit, deri në fund të tetorit të këtij viti, ku kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, u dënua përfundimisht nga Gjykata e Apelit.

    Pikërisht në fillim të nëntorit, Bazaj e kishte shpallur kandidaturën e tij si kandidat i PDK-së për Drenas, por pa bekim të PDK-së në qendër, që tashmë nuk udhëhiqej nga Hashim Thaçi, por Kadri Veseli.

    thacibazaj

    Për 17 ditë të tëra ai kishte bërë fushatë nëpër shumë fshatra të Drenasit duke e konfirmuar vetën si kandidat i PDK-së, për kryetar, por që tek në ditën e 9-të të nëntorit PDK-ja kishte zgjedhur Ramiz Lladrovcin.

    Kjo e kishte indinjuar dhe kishte bërë që ai të shpallej kandidat i pavarur.

    Kishte shumë mbështetje, deri në natën e enjte të 17 nëntorit 2016, kur befasisht tha se tërhiqet nga gara dhe mbështet Lladrovcin.

    Përkundër kritikave të shumta gjatë kësaj nate ai tha se do t’i bind votuesit e tij që të votojnë për Lladrovcin dhe PDK-në.

    “Do ti bindim të gjithë se kjo ka qenë për hirë të Drenicës, territorit të Komunës së Drenasit dhe për hirë të gjithë atyre bashkëluftëtarëve që janë nëpër burgje, dhe besoj se do të binden edhe ata të dalin në zgjedhje”, tha Bazaj.

    “ I madh e i vogë,m do të jem së bashku deri në fitore”, shtoi ai teksa hipi në veturë dhe la pas qytetarët e indinjuar për këtë veprim./Insajderi.com

    https://www.facebook.com/NaimBazajPerDrenasin/?fref=ts

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark