Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Telaku, ka prezantuar vizionin e tij për modernizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e dixhitalizimit të shërbimeve mjekësore.
Përmes një postimi publik, Telaku ka thënë se sistemi aktual me dokumente fizike dhe receta në letër është jashtë kohe dhe po u shkakton vështirësi qytetarëve.
Sipas tij, modernizimi i shëndetësisë duhet të nisë me krijimin e dosjeve elektronike, recetave digjitale, rezultateve laboratorike në kohë reale, telemjekësisë dhe një portali online për pacientët.
Ai ka theksuar se këto ndryshime do ta lehtësonin qasjen në kujdesin shëndetësor dhe do të reduktonin vonesat, gabimet dhe burokracinë në institucione.
“Në botën e sotme pothuajse krejtësisht dixhitale, një shëndetësi e dokumenteve, dosjeve fizike e recetave në letër, është krejtësisht jashtë kohe e mundim për qytetarin”, ka shkruar Telaku.
Telaku ka përmendur edhe nevojën për ndërtimin e një sistemi kombëtar modern të emergjencave, duke e cilësuar atë si nismë jetike për reagim më të shpejtë dhe shpëtim të jetëve.
“Dixhitalizimi nuk është luks. Është esencial. Jemi jashtë kohe dhe po vonohemi çdo ditë”, ka përfunduar ai.