"Nait, pse po e merr bajrakun kundër Albinit?" – Dugolli kërkon llogari nga deputeti i PDK-së, i cili tha se nuk do ta votojë Kurtin për kryeministër - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Nait, pse po e merr bajrakun kundër Albinit?” – Dugolli kërkon llogari nga deputeti i PDK-së, i cili tha se nuk do ta votojë Kurtin për kryeministër

    Insajderi
    11 April 2025 - 10:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka shprehur një qëndrim të prerë kundër mundësisë së votimit për Albin Kurtin si kryeministër. Ky qëndrim erdhi pas një deklarate nga analisti i afërt me pushtetin, Sadri Ramabaja, i cili pohoi se Hasani do ta mbështeste Kurtin për kryeministër.

    Reagimi i Hasanit ka provokuar një përgjigje të fortë nga shoku i tij i burgut dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, shkruan Insajderi.

    Përmes një postimi në Facebook, Dugolli e ka pyetur Hasanin: “Nait, pse po e merr bajrakun kundër Albinit? Pse?”

    Dugolli ka shprehur habi dhe ka thënë se e kupton që disa politikanë të tjerë mund të kenë arsye të tilla, pasi Albin Kurti ka prishur “matematikat politike dhe biznesore” të tyre, duke i bërë ata të mos e duan më në pushtet.

    Sipas tij, disa individë mund të mos e duan as të gjallë Kurtin, por që ai, si mik i burgut i Hasanit, nuk mund ta kuptonte arsyen për këtë kundërshtim.

    “Unë do të kisha dashur shumë që ti, shoku im i burgut, të kishe këmbëngulur atëherë kur ishte më e rëndësishme, të mos e votoje demarkacionin me Malin e Zi, një vendim që dëmtoi interesat e vendit dhe solli humbje territoriale,” shkroi ai.

    Për Dugollin, qëndrimi i Hasanit kundër Kurtit është një “qasje bllokuese”, që ai e cilëson të çuditshme dhe të pashpjegueshme.

    Dugolli është i habitur që Hasani po tregon këmbëngulje tani për të refuzuar çdo qeveri ku Albin Kurti është kryeministër.

    Deputeti i zgjedhur nga radhët e PDK-së, Nait Hasani, ka reaguar ndaj një deklarate të analistit dhe anëtarit të VV-së, Sadri Ramabaja, i cili kishte pohuar se Hasani do ta mbështesë formimin e Qeverisë Kurti 3.

    Hasani hodhi poshtë kategorikisht çdo mundësi që ai t’i japë votën Albin Kurtit.

    “Unë me asnjë çmim nuk e votoj qeverinë e Albin Kurtit. Edhe nëse duhet me shku në zgjedhje, shkojmë, por unë nuk ia jap votën Albin Kurtit,” tha ai në rtv Dukagjini, përcjell Insajderi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark