Në prag të ndeshjes së 29-të kampionale, FC Drita ka mbajtur konferencë për media ku për përgatitjet dhe pritshmëritë folën kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Hamdi Namani.
“Ndeshja e nesërme pritet të jetë e fortë kundër një skuadre me cilësi, por skuadra jonë është në një moment të mirë, me rezultate pozitive dhe duhet të shfrytëzojmë këtë moment”, tha fillimisht trajneri Nuhiu.
Sa i përket ndeshjes, trajneri Nuhiu theksoi se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe pret një përballje të fortë e të këndshme, duke dhënë maksimumin e skuadrës sonë.
“Kemi analizu kundërshtarin, ata kanë shumë cilësi realisht por edhe ne kemi forcat tona. Pres një ndeshje të fortë, një përballje të këndshme, sepse këtë do të na mundësojë edhe fusha. Kemi marrë të gjitha masat, kemi futbollistë lider brenda skuadrës, me përvojë dhe janë të vetëdijshëm që duhet menaxhuar në mënyrën më të mirë këtë fund të kampionatit. Ata e dinë që nuk duhet të gabojnë, nëse duam të jemi në hap me rivalët tanë drejt titullit”, deklaroi Nuhiu.
Ndërsa, futbollisti Hamdi Namani theksoi se përkundër cilësive dhe sulmit të kundërshtarit, Drita nuk është supë që mposhtet lehtë, duke iu kundërpërgjigjur trajnerit Batatina, i cili pas fitores ndaj Prishtinës tha se këta të fundit ishin supë e lehtë.
“Dihet që Llapi është një ekip i fortë si vendas, kemi punuar shumë këto ditë dhe jemi munduar t’i përmirësojmë disa gabime që na ndodhën ndeshjen e fundit. Kemi analizuar kunërshtarin dhe i dijmë pikat e forta dhe të dobëta, kurse dihet se DRITA nuk është një supë e lehtë dhe këtë e kanë tregu edhe ndeshjet në Evropë. Unë besoj se ne do të luftojmë deri në fund në çdo garë ku marrim pjesë dhe shpresoj të dalim fitues nesër. Është një emocion më i veçantë për mua, sepse është klubi ku u formova si futbollist dhe gjithmonë do të jetë i tillë”, ka thënë Namani.