Nderim Mustafa, kandidat i PDK-së për deputet, ka kritikuar qeverinë në detyrë lidhur me vendimin për digjitalizimin e arkave fiskale, të cilin e ka quajtur veprim elektoral.
Mustafa me anë të një video ka thënë se bizneset nuk janë mjet elektoral, por shtylla e ekonomisë së Kosovës.
“Vetëm paramendojeni se qeveria në ikje me çfarë krenohet, me digjitalizimin e arkave fiskale. 6 vjet pritje. 6 vjet humbje milionëshe për bizneset. 6 vjet heshtje dhe në kohë të zgjedhjeve po bëhen sikur po merret ndonjë vendim i rëndësishëm. Nënshkrimi i udhëzimit për digjitalizimin e arkave fiskale nga kjo ministri në ikje, Hekuran Murati, nuk është reformë, por është për fushatë zgjedhore”, deklaron ai.
“Bizneset e Kosovës jo vetëm që nuk u ndihmuan, por ato u bllokuan dhe u penalizuan. Bizneset nuk janë mjet elektoral, prandaj mos luani me to dhe me mijëra familje që mbahen prej tyre. Ato janë shtylla e ekonomisë së Kosovës, prandaj meritojnë mbështetje e jo vetëm në kohë të zgjedhjeve. Por, qytetarë të dashur, ne do t’i mbështesim bizneset, punëmarrësit”, ka thënë Mustafa.
Në fund, ai ka premtuar se PDK-ja përfundimisht do ta ndërtojë autostradën e Gjilanit.