Gjatë kohës sa profesori i Gjeografisë njëherësh edhe deputet i LDK-së Shpetim Bulliqi ka qenë duke i prezantuar faktet përmes së cilave ai e kundërshton Vijën kufitare me Malin e Zi të vendosur nga marrëveshja e vitit të kaluar e arritur mes dy vendeve, ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në disa pjesë të Kosovës.
Zafir Berish, deputet i Nismës për Kosovën gjatë kohës sa zhvillohej debati alarmoi për ndërprerjen e rrymes.
“Kur ka filluar Shpejtim Bulliqi me fol rryma është ndalë në gjysmën e Kosovës”, ka thënë Berisha.
Ndërprerjen e rrymës e arsyetuan në KEDS, duke thënë se kishte disa defekte në rrjetin e KOSTT.
“Janë ndërprerje të planifikume, kjo po ndodh përshkak të defekteve të Kostit”, ka thënë zyrtari për informim në KEDS, Viktor Buzhala për Gazetën Fjala.
Para tij, Ramush Haradinaj deklaroi se kishte pasur ndërprerje të transmetimit të debatit nga Televizioni Publik i Kosovës, në disa komuna në të njëjtën kur kohë kur kishte filluar të flas Shpejtim Bulliqi.
“RTK’ja ka ndalur transmetimin në shumë vende të Kosovës kur ka filluar prezantimi i fakteve nga Bulliqi”, u tha Haradinaj mediave në hollin e Kuvendit.
Sipas tij një gjë e tillë ka ndodhur në Prizren.
Por Lorik Arifaj nga Televizionit Publik i Kosovës, tha se RTK nuk e ka bërë ndërprerjen e transmetimit gjatë Debatit për Demarkacionin.
“Ndërprerje të sinjalit nuk ka pasur, sepse RTK-ja e bën realizimin e transmetimit ndërsa sinjali shpërndahet nga KTTN-ja (Kompania e licencuar për shpërndarje të sinjalit në rrjetin tokësor) dhe nga operatorët kabllorë”, ka thënë Arifaj. /Insajderi.com