Ceremonia e dasmave konsiderohet të jetë një prej më të rëndësishmeve në botë. Bazuar në traditën e tyre, shtetet kanë mënyra të ndryshme të organizimit të dasmave, organizimi i të cilave ka pësuar ndryshime me kalimin e viteve.
Edhe në vendin tonë në të kaluarën dasmat kanë qenë më të thjeshta dhe disi më uniforme, ndërsa sot ka një kombinimi të modernes dhe asaj tradicionales, që e bënë thuajse të pashmangshme angazhim të gjatë vetëm për të organizuar një dasmë të bukur.
Për këtë qëllim, në Kosovë janë hapur disa dyqane të specializuara vetëm për organizimin e dasmave. Përfaqësues të këtyre bizneseve thonë se dasmat e viteve të fundit kanë qenë një përzierje mes vlerave tradicionale dhe modernes.
Sipas tyre, çifti që organizon dasmën kërkon të përfshijë elemente të reja që kryesisht janë parë nëpër filmat e Hollywood-it, përfshirë veturat klasike me tabelat në të cilat shkruhet “Just Married“(të sapomartuar), hedhja e luleve nga nusja drejt vajzës e cila do të ketë fatin që së shpejti të martohet e të tjera.
Por, me kërkese dhe të vetë çiftit por edhe ndonjëherë me insistimin e familjarëve të tyre më të vjetër, ata përfshijnë edhe ceremoni tradicionale, që përfshijnë muzikë me instrumente muzikore si daullet, defat, e të tjera.
Ina Shaqiri që ka hapur një dyqan të tillë në Ferizaj vitin e kaluar, thotë se familjarët që merren me organizimin e dasmave janë shumë të përkushtuar ndaj detajeve.
“Kërkesat e tyre janë që kryesisht dasma e tyre të jetë sa më madhështore dhe interesohen për çdo detaj deri në ditën e tyre të veçantë,pra dasmën e tyre”, thotë ajo.
“Shumë nga klientët tanë e duan traditën,por nuk mungojnë as dasmat moderne”, thotë ajo, duke treguar se për këtë arsye fokusohen që të bëjnë kombinim të të dyjave gjatë dasmës pa humbur bukurinë e asnjërës.
Sipas saj, çmimet për dekorimin e një dasmë janë nga 2000 deri në 4000 mijë euro, varësisht nga dekori i dasmës.
Por, dasmat nuk kanë ndryshuar vetëm në formën e organizimit, por tani ato janë bërë edhe më fleksibile sa i përket ditës kur mbahen. Derisa ka qenë traditë që dasmat të ndodhin të dielën, tashmë një gjë e tillë ka ndryshuar dhe ato mbahen edhe ditëve të tjera vetëm që t’i përshtaten nevojave të dasmorëve, marrë parasysh faktin se një pjesë e tyre duhet të zgjohen herët për të shkuar të hënën në punë.