Prishtina ka përfunduar me sukses fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve me dy fitore radhazi ndaj Folgores (San Marino) dhe Inter Escaldes, shkruan Insporti.
Kryeqytetasit triumfuan ndaj Inter Escaldes fal dy golave të Endrit Krasniqit, duke siguruar kështu për herë të parë pjesëmarrjen në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Prishtina, në fazën e ardhshme do të takohet me kampionët e Hungarisë, Ferencváros, klub ky i cili sezonin e kaluar u kualifikua në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Prezent në triumfin e Prishtinës ndaj Inter Escalandes në “Elbasan Arena”, ishte edhe ndihmëstrajneri i Ferencvaros, Gerhard Fellner, i cili nga afër shikoi skuadrën e Zekirija Ramadanit, duke bërë kështu përgatitjet e para për sfidën e 6 korrikut.
Në një pronocim për Insportin, Fellner deklaroi se i pëlqeu loja e Prishtinës, duke specifikuar Mendurim Hotin dhe Lumbardh Delloven si dy futbollistë që zhvilluan ndeshje shumë të mirë.
“Ndeshje e mirë mes Prishtinës dhe Inter Escaldes. Mendurim Hoti dhe Lumbardh Dellova bën ndeshje të mirë. Hoti është një futbollist që dëshiron të futet brenda zonës nga krahu” – tha ai.
Ish trajneri i Austria Klagenfurt, Gerhard Fellner, është aktualisht ndihmëstrajner i Peter Stoger, trajnerit aktual të Ferencvaros, i cili në të kaluaren ka udhëhequr klube të mëdha evropiane siç janë Koln dhe Borussia Dortmund.
Prishtina luan sfidën e parë ndaj Ferencvarosit me 6 korrik në Bundapest, ndërkohë ndeshja e kthimit do të zhvillohet me 14 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Fituesi kualifikohet në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, ndërkohë ekipi që humbet do të transferohet në raundin e dytë të Conference League./Insporti.com/