×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ndihmoi Luan Dalipin për ta fituar tenderin 2 milionësh, dënohet me burgim ish-zyrtari i Tregtisë e Industrisë

    Insajderi
    21 July 2022 - 17:32

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Xhemajl Sylës, ish-zyrtarit të MTI-së, duke e dënuar me 5 mijë euro gjobë dhe 2 vite burgim me kusht.

    Në këtë rast, Syla  po akuzohet se si udhëheqës i Divizionit për Mbështetje të Bizneseve dhe Zhvillimeve Regjionale në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka keqpërdorur informacione zyrtare me qëllim të përfitimit të përparësisë për kompaninë “Management Development Association”,

    Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Syla u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyçi.

    Sipas këtij aktgjykimi Syla është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2 vite burgim me kusht, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 5 viteve, si dhe 5 mijë euro gjobë të cilën është i obliguar ta paguajë brenda afatit të caktuar ligjor.

    E njëjta deklaroi se në rast të mos përmbushjes së detyrimeve të caktuara, gjykata do revokojë dënimin me kusht dhe do të shqiptoj dënim unik.

    Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Syla është gjithashtu i obliguar që të paguajë shpenzimet e procedurës penale, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 150 euro dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro, 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij vendimi.

    Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

    Gjykatësja Bytyçi deklaroi se pas administrimit të provave dhe pas vlerësimit të secilës provë është se janë përmbush elementet e veprës penale dhe është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale që po i vihet në barrë.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Xhemajl Syla akuzohet se më 5 dhjetor 2018, si person zyrtar, udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjional në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit e përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA) e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi më 30 prill 2013 ishte publikuar njoftimi për kontratë për tenderin në fjalë, i akuzuari Syla, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator të vitit 2013, i ka dërguar Luan Dalipit, menaxher në kompaninë MDA, dokumente të brendshme të MTI-së dhe informacione lidhur me kushtet dhe kriteret për tender.

    Në bazë të këtyre informatave, vazhdon akuza, Dalipi i kishte ndryshuar pastaj kriteret e kontratës për përzgjedhjen e ekspertëve në këtë projekt, duke e përshtatur në atë mënyrë ofertën e kompanisë se tyre për tenderin në fjalë.

    Pas kësaj, sipas aktakuzës, Xhemajl Syla, si anëtar i komisionit për vlerësim të ofertave në këtë tender, më 24 shtator 2013 kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, e cila e obligonte që ta ruajë rreptësisht fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në vlerësimin e ofertave në procesin e prokurimit.

    Mirëpo, përkundër kësaj në aktakuzë thuhet se Syla në kundërshtim me deklaratën e nënshkruar, ka dërguar tek Luan Dalipi, informacione në lidhje me vlerësimin dhe poentimin e ofertave në këtë proces të prokurimit, duke e njoftuar për përparësitë e kompanisë MDA krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.

    Ai po akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 423, par. 2, lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dymbëdhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

    Shënim: Personat e përmendur në ketë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark