Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të premten se ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, V.M. dhe V.M., nën dyshimin se të njëjtit në cilësinë e zyrtarëve të lartë të Qendrën për Punë Sociale në kryeqytet kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas njoftimit, të njëjtit dyshohen se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme, kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion, si dhe në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm.
Insajderi nga burime të sigurta mëson se të arrestuarit gjatë ditës së sotme janë Vebi Mujku si dhe Fadil Aliu- Heretica.
Aliu-Heretica ishte nën detyrën e shefit të personelit të Komunës së Prishtinës, ndërkaq Mujku ishte i angazhuar si drejtor në Qendrën për Punë Sociale.
Të dy dyshohen të kenë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion.
Lexo edhe:
Heretica është një nga njerëzit me të afërt të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Tentativat e akterëve kryesor të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta ‘rehatuar’ Fadil Aliun e Herticëve nuk kanë qenë të pakta.
Më 19 tetor të 2020-ës, Qeveria Hoti e pati emëruar Fadil Aliun si anëtar të bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës, i cili më pas u shkarkua pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit.
Aliu- Hertica ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit të 2017-ës. Kishte arritur të marrë vetëm 2 mijë e 841 vota.
Aliu që nga viti 2005 është pjesë e Institutit Riinvest, fillimisht si hulumtues, pastaj nga viti 2007 si hulumtues i lartë, nga viti 2009 si prodekan për mësim, ligjërues dhe drejtor menaxhues, në vitin 2012 ai ka marrë pozitën e drejtorit financiar në këtë Institut dhe ka vazhduar të jetë ligjërues.
Në vitin 2013 Aliu është emëruar drejtor i Departamentit Ekonomik dhe në të njëjtën kohë ka qenë edhe ligjërues.
Nga tetori i vitit 2014 ai është ligjërues në Kolegjin Riinvest. Ai ligjëron lëndët “menaxhimi i bankave dhe operacionet financiare”, “menaxhmenti financiar”, “makroekonomia” si dhe “statistika për ekonomistë”.
Me 7 dhjetor, Përparim Rama ka pranuar detyrën e postit të kryetari të Komunës së Prishtinës. Rama arriti të fitoi 41 mijë e 746 vota apo 50,98 përqind.