×
  • Lajme
  • Insajderi

    “#Ndryshojeni_ua_për_shaminë”, kampanja që pushtoi facebook-un

    Insajderi
    10 August 2022 - 23:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “#Ndryshojeni_ua_për_shaminë”, tashmë është kryefjala në rrjetet sociale që gjejnë përdorim në Kosovë.

    Kundërshtia e udhëzimit administrativ me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në lidhje me bartjen e shamisë në shkolla, ka shtyrë aktivistin, Liridon Kurti t’i prijë kësaj kampanje online.

    Në një përgjigjie për Gazetën Insajderi, aktivisti Kurti tha se kampanja ka kaluar çdo pritshmëri dhe aktiviteti është i madh.

    Kurti tha se bazuar në përgjigjiet e ministrisë për mediat kanë shpresë për ndryshim.

    “Presim që me ndiku pozitivisht pasiqë edhe Ministria në përgjigjet e saj ndaj mediave ka premtuar që do të bëjnë të pamundurën që të mos e lënë asnjë nxënëse jashtë bankave shkollore”, tha Kurti për Insajderin.

    Në anën tjetër, i pyetur nëse kampanja do të marrë përmasa të tjera përpos aktivizmit të qytetarëve online, tani për tani Kurti mohoi të ketë aktivitet tjetër.

    “Për momentin fushata shkon vetëm online, nëse shohim se ka nevojë edhe për ndonjë aktivitet tjetër gjithsesi se do të veprojmë në bazë të rrethanave. E jona është që të ndjekim të gjitha rrugët ligjore e demokratike deri në realizimin e synimeve tona”, përfundoi ai për Insajderin.

    Me pak ditë mobilizim dhe përkushtim, pothuajse në shumicën e profileve të pushtetarëve tek pjesa e komenteve mund të hasim “hashtag-un” e njohur për ndryshimin e atij udhëzimi.

    Njejtë edhe në postimin e fundit të kryeministrit Kurti, pothuajse 90% të komenteve përbëjnë masën e përfshirë në kampanjën tashmë të njohur.

    Komentet e tilla po vërshojnë tash e sa ditë edhe në profilin e Ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.

    Qytetarët po tentojnë që përmes presionit me kampanjën që është nisur të ndikojnë sadopak në atë udhëzim të paligjshëm.

    Me thirrjen e aktivistit Kurti, sipas deklaratave të tij në media janë pajtuar shumë pjesëtarë nga opozita dhe pozita.

    Pro këtij veprimi ditë më parë ishte edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili në emër të Bashkësi Islame në Kosovë(BIK) ka thënë se duhet të shfuqizohet Udhëzimi  Administrativ, që i ndalon vajzat me shami  nga shkollimi.

    Tërnava këtë udhëzim e ka quajtur si diskriminues dhe i njëjti ka kërkuar që kjo çështje të mos politizohet e as polarizohet por të trajtohet me korrektësi.

    “Është kërkesë e kamotshme e Kryesisë së BIK-ut, institucioneve të saj dhe besimtarëve myslimanë që të shfuqizohet, respektivisht të hiqet e tëra pika 1.13 e nenin 3, në Udhëzimin Administrativ 06/2014, ngase është diskriminuese, dhe si e tillë në disa raste ka pas tentime që duke u thirr në këtë udhëzim, respektivisht në këtë nen t’u mohohet e drejta e shkollimit nxënëseve që bartin mbulesën myslimane  shaminë” thuhet në komunikatën e BIK-ut në Facebook.

    Ligjëruesja e departamentit të gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Arbenitë Hoxha-Ramaj tregoi për Insajderin në aspektin profesional se çka nënkuptohet me termin kampanjë dhe kampanjë online.

    “Kampanjat janë mjete të Marrëdhënieve me Publikun për të vetëdijësuar publikun rreth një teme të caktuar. Ndërsa termi kampanja online nënkupton kampanjat elektronike që shfaqen përmes përdorimit të teknologjive të internetit”, tha Hoxha-Ramaj për Insajderin.

    Tutje, profesoresha universitare tregoi për mënyrën e realizimit të kampanjave online. Ajo tha se kjo varet edhe nga qëllimi që ka kampanja e punuar dhe bazohet në grupin e synuar.

    “Edhe kampanjat online kanë një plan për mënyrën e realizimit. Një ndër to është edhe target grupi i synuar. Varësisht nga qëllimi i kampanjës, kampanjat online duhet të kenë parasysh cilën target audiencë e kanë për qëllim në mënyrë që mesazhi të arrijë dhe të kuptohet nga kjo audiencë. Duhet të realizohen hulumtime nëse ajo pjesë e audiencës është përdoruese e internetit dhe teknologjive të tij, përndryshe nuk e arrijmë qëllimin e kampanjës”, tha ligjëruesja e UP-së.

    Në lidhje me efektivitetin që një kampanjë online mund të ketë, Hoxhaj-Ramaj tha se kampanjat online janë efektive për shkak të numrit të përdoruesve të rrjeteve sociale.

    Ajo tha se kampanjat online mundësojnë “reflektimin” e rezultatit menjëherë dhe në çdo kohë.

    “Duke marrë parasysh numrin e madh të përdoruesve të internetit kampanjat online janë mjaft efektive sepse brenda një kohë të shkurtër arrijnë te një numër i madh i njerëzve dhe shpërndahet edhe nga vetë ata. Gjithashtu, rezultatin mund ta vërejmë menjëherë dhe kemi mundësi që ta shohim në çdo kohë”, shtoi profesoresha universitare.

    Kurse, që një kampanjë të jetë e suksesshme, sipas profesoreshës e cila ligjëron lëndën “Marrëdhënie me Publikun” e që përkon pikërisht edhe me përgatitjen e kampanjave, duhet të ketë objektivat, target grupin, mesazhin dhe karakteristika të tjera që ta fuqizojnë atë.

    “Kampanja duhet të ketë një plan për të arrit efektin e saj. Objektivat, target audienca, mesazhi, media, buxheti, etj janë elementet e nje kampanje të suksesshme”, përfundoi Hoxha-Ramaj për Insajderin.

    Tendenca që përmes kampanjave të dëgjohet zëri i qytetarëve tashmë ka marrë jehonë. Edhe një kampanjë e re veçse ka filluar të “lundroj” në facebook.

    Fjala është për kampanjën: #eDuam_luminNerodime_pakanalizim

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    24 April 2024
    Lajme
    24 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark