Vendi ku ishte e paraparë që të ndërtohej “Tregu i Gjelbërt” në komunën e Vushtrrisë, është duke u shfrytëzuar për parking, edhe pse para një viti u vendos gurthemeli dhe u ndanë afër 1 milionë euro. Jo vetëm kaq, tenderi për këtë treg është dhënë sërish në këtë fillim vit me vlerën prej 1 milion e 131 mijë euro, shkruan Insajderi.
Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, me 12 janar të vitit 2023 kishte njoftuar se po ndërtohet “Tregu i Gjelbërt”, ku afër një milion euro ishin ndarë për të.
“Afër një milion euro për tregun e gjelbërt. Vitin 2023 po e fillojmë me një projekt shumë të rëndësishëm për qytetin tonë. Tregu i gjelbër së bashku me parkingun nëntokësor do t’ju shërbejë gjithë prodhuesve vendorë, pasi që do të jetë me kushte e standarte të larta”, kishte njoftuar Idrizi.
Por, janë bërë një vit që nga vendosja e themelit të tij, dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë fillim të ndërtimeve.
Vendi ku është paraparë për këtë treg, është kthyer në një parking të veturave dhe kontenjerëve me mbeturina.
Duke mos mjaftuar që para 1 viti janë ndarë afro një milion euro pa asnjë ndërtim të këtij projekti, është hapur sërish një tender, por tani me një çmim mbi 1 milion euro.
Me datën 04.01.2024 është nënshkruar kontrata e dytë e tenderit “Ndërtimi i tregut të gjelbërt për prodhuesit vendor”.
Grupi i operatoreve ekonomik lokal “BM Group shpk, Fer Petrol shpi, Aktiv shpk dhe Company Murseli shpk”, me bazë në Drenas, është përzgjedhur fituese e kontratës në vlerë 1 milion e 131 mijë euro.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me kryetarin e komunës së Vushtrrisë Ferit Idrizin, i cili tha se ka pasur zvarritje për shkak të ankesave nga operatorët në OSHP.
Tutje ai shtoi se tash është nënshkruar tenderi i ri, dhe pritet të fillojnë punimet.
“Po qe një vit e kemi qitë gurë-themelin, në moment kur e kemi nënshkruar marrëveshjen e kemi qit gurë-themelin, u shpall tenderi, edhe me gjasë ka dështu nja dy here tenderi. Tash është jap tenderi edhe pritet me fillu punimet. Ai ka me përfundu sipas planit dinamik deri në 2024- 2025. Zvarritjet shpesh herë po ndodhin sepse kur po ka ankesa, po shkojnë ankesat ne OSHP edhe po ka zvarritje”, tha Idrizi për Insajderin.