×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Në kërkim të prokurorëve që nuk e “baltosin” Qeverinë Kurti – A e ka keqkuptuar Vetting’un ministrja Gërvalla?

    Insajderi
    15 September 2022 - 13:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryediplomatja Donika Gërvalla, publikisht sulmoi prokurorët e vendit, duke thënë se ata po merren me gjetjen e “preteksteve për të hedhur baltë mbi zyrtarët e qeverisë”. Me bindje të plotë kërkoi vetting, por akuzat ndaj ambasadorit Martin Berishaj dhe nisjen e hetimeve i ka quajtur të qëllimshme për të inkriminuar diplomacinë kosovare. Gërvalla siç duket e ka keqkutuar punën e vettingut. Prokurorët me apo pa vetting, e kanë për detyrë të hetojnë çdo pretendim për veprimet e paligjshme të të gjithëve, përfshi edhe zyrtarët e qeverisë

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla me bindje të plotë e publikisht e tha se prokurorët aktual që ka sistemi prokurorial në Kosovë, “në mënyrë të qartë merren me gjetjen e preteksteve për të hedhur baltë mbi personalitetet e pa korruptueshme”.

    Gërvalla, në intervistën në Rubikon, deklaroi se asnjë nga zyrtarët e qeverisë nuk janë të sigurt nga hapja e hetimeve dhe se sipas saj nuk përjashtohet mundësia që të hedhet baltë ndaj zyrtarëve për të dëmtuar këtë qeveri, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Asnjë nga njerëzit që kanë marrë përgjegjësi për ndryshime nuk janë të sigurt nga hapja e hetimeve, duke e njohur edhe profesionalizmin e një pjesë të prokurorëve por edhe duke njohur nevojën për një veting të mirëftilltë. Nuk e përjashtoj mundësinë që intenca për të hedhur baltë mbi figura të pa korruptuara mund të jetë intencë për të dëmtuar këtë qeveri”, tha kryediplomatja Gërvalla.

    Gërvalla, vazhdoi me konspiracione për të sulmuar edhe më tej punën e prokurorisë, duke thënë se me mjete të prokurorisë zyrtarët qeveriatr do të përballen me fushata të baltosjes.

    “Unë nuk përjashtojë për asnjë nga anëtarët e kësaj qeverie që do të përballen me fushatë jashtëzakonisht jo fer që shërbehet me mjetet e prokurorisë. Jam shumë e ndërgjegjshme për atë që po them”, tha Gërvalla.

    “Ka në mesin e prokurorëve të tillë. Unë kam informacione shumë të sakta që një pjesë e prokurorëve, jo vetëm të Prishtinës, në mënyrë të qartë merren me gjetjen e preteksteve për të hedhur baltë mbi personalitetet e pa korruptueshme”, shtoi ajo.

    Pas këtyre deklaratave sandaloze, ministrja Gërvalla kërkoi vetting të mirëfillt, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, a e ka keqkuptuar këtë proces ministrja që drejton diplomacinë kosovare?

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla bazuar në deklaratat që dha në këtë interviste, siç duket po kërkon që pas procesit të vettingut, prokurorët të mos hetojnë njerëzit e pushtetit.

    Por, Prokurori i Shtetit, duhet të veproj i pavarur ndaj të gjithë personave që dyshohen për veprime të jashtligjshme, përfshirë edhe zyrtarët e lartë të shtetit e qeverisë ku bënë pjesë Donika Gërvalla.

    Me dhe pa vetting, një prokuror e ka obligim parësor të hetoj pretendimet për keqpërdorimet e zyrtarëve.  Siç ka bërë prokuroria kur ka nisur hetimet edhe për dyshimet për ambasadorin Martin Berishaj, pas denoncimit nga Agjencia Kundërkorrupsion.

    Duke u përzier në kompetencat që nuk i takojnë, Gërvalla bënë përpjekje për të ndërhyrë në punën e Prokurorisë, edhe për këtë rast. Ajo madje thotë se akuzat ndaj ambasadorit Berishaj kanë qenë të qëllimshme.

    “Çështjen e ambasadorit Berishaj e kam komunikuar, akuzat kanë qenë të rënda, edhe në opinion publik janë zvogëluar tregon se kanë qenë të qëllimshme, për të inkriminuar diplomacinë kosovare. Unë nuk komentoj hetimet që ka hapur prokuroria sepse nuk jam e sigurtë për intencën e atyre hetimeve”, tha ajo.

    Nuk u ndal me kaq, Gërvalla tha se “trajtimi i njerëzve të cilëve iu ka dhënë besimin në bazë të thashethemeve dhe insinuatave nuk është trajtim i denjë dhe nuk dëshmon seriozitetin e shtetit”.

    Ndaj këtyre sulmeve të Gërvallës, ka reaguar sot Këshilli Prokurorial i Kosovës.

    Ky institucion, e dënon ashpër përdorimin sistematik të gjuhës denigruese dhe joinstitucionale të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    “(KPK) dënon ashpër përdorimin sistematik të gjuhës denigruese dhe joinstitucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të përdorur ndaj prokurorëve të shtetit, në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, ku duke mos zgjedhur mjete, kohë dhe fjalë, po tentohet cenimi i integritetit dhe pavarësisë së Prokurorit të Shtetit, si institucion i pavarur dhe kushtetues”, thuhet në reagim.  

    Sipas KPK-së konspiracionet e ngritura nga Gërvalla lidhur me këtë çështje janë paqëndrueshme dhe tentim për njollosjen e sistemit prokurorial.

    “Këshilli Prokurorial i Kosovës ia rikujton Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke e trajtuar në mënyrë ligjore një kallëzim penal të pranuar nga Agjencia Kundër Korrupsion. Andaj, çfarëdo konspiracioni i ngritur nga ajo lidhur me këtë çështje është i paqëndrueshëm, joprofesional dhe përbënë tentim për njollosjen e sistemit prokurorial”, thuhet në reagimin e KPK-së.

    Ndaj Martin Berishaj është hapur hetimi, pas kallëzimit penal nga Agjencia Kurndër Korrupsionit. Berishaj nuk ka deklaruar bizneset që posedon, ndonëse më ligj si zyrtar është i obliguar të raportojnë pasurinë që posedon që nga momenti e pranon detyrën zyrtare. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark