Rrjeti për Hulumtimin e Krimit e Korrupsionit në serbi ka publikuar sot enrat e disa prej personave serb të përfshirë në ‘Panama Papers’, përkatësisht që kanë shfrytëzuar shërbimet e studios ligjore panameze Mossack Fonseca.
Ndër personat e zbuluar janë edhe disa që besohet se ishin të lidhur me ish presidentin serb, Sllobodan Millosheviç, dhe aferën e fshehjes së një miliard markash gjermane gjatë viteve të 90-ta në Qipro.
Në mesin e emrave është ai i afaristit Valdimir Deliç, mik familjar dhe partner afarist i kryetarit të Beogradit, Sinisha Mali. Emri i afaristit kundërthënës serb, Igor Sabo, i cili ishte ndjekur edhe për keqpërdorime në procesin e privatizimit në Serbi.
Po ashtu, katër rusë të pasur që në këtë mënyrë bëjnë biznes në Serbi dhe disa prej tyre janë në listën e personave që u është ndaluar udhëtimi në Bashkimin Evropian.
Oligarku rus, Igor Rotenberg, shkruan KRIK, në rrugë të tilla ka blerë aksionet e kompanisë ndërtimore “PPT Inzhenjering“.
Nëpërmjet rrugëve të tilla, afaristi serb Milan Popoviç ka hyrë në partneritet me oligarkun rus Konstantin Malofejev, i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.
Sipas projektit “dokumentet e Panamasë”, paratë dhe bizneset ruse hyjnë shpesh në Serbi të fshehura pas kompanive të regjistruara në “parajsat fiskale”.
Disa nga emrat e përfshirë kanë qenë nën hetime ose të akuzuar për vepra penale që kanë të bëjnë me të bërit biznes me “në parajsat fiskale”, shkruan VOA.
Në këto dokumente sipas KRIK-ut në Serbi, janë emra nga Jordania, India e vende të tjera që bëjnë biznes në Serbi. Këtu përfshihen emra pilotësh, njerëzish të botës së modës, futbollistësh dhe atkitektësh nga Serbia.
Autoritetet në të gjithë botën janë vënë nën trysni për të vepruar, pasi një numër i madh dokumentesh të publikuara nga mediat perëndimore, zbuluan se si të pasurit dhe të fuqishmit përdorin parajsat fiskale për të fshehur paratë e tyre./Insajderi.com