×
  • Sport
  • Sport / Insporti

     Në parlament diskutohet për dhunën në ndeshjen Gjilani – Ballkani

    Insajderi
    07 April 2022 - 11:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputetja e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Albena Reshitaj e ka shprehur shqetësimin e saj për rastin e fundit që ndodhi në futbollin kosovar.

    Ajo insiston se ata që e bënë sulmin fizik ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri në Gjilan duhet të ndëshkohen maksimalisht nga Prokuroria dhe nga Gjykata.

    Sipas saj, skena të tilla e prishin imazhin e sportit kosovar.

    “Duke qenë nënkryetare e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, më lejoni që sot para jush ta ndaj një shqetësim që është shumë i rëndë. Ngjarje të tilla që ndodhin nuk duhet të kalojnë në heshtje edhe nga ne si përfaqësues të popullit që jemi këtu”, u shpreh fillimisht ajo në fjalën që iu dha.

    “Ta shqelmosh një futbollist në fushë pa asnjë pengesë është shqetësim i madh, si për ne, aq më tepër për familjarët e lojtarëve, të cilët nuk i kanë rritur, edukuar e shkolluar fëmijët e tyre që personat e pandërgjegjshëm. Kërkoj nga çdo organ kompetent, duke filluar nga Prokuroria e nga Gjykata, që me dënime maksimale t’i ndëshkojë sulmuesit, të cilët vetëm sportin nuk e duan”, vazhdoi ajo.

    Reshitaj shtoi se skenat që u panë të dielën në stadiumin e qytetit të Gjilanit ku po luhej ndeshja kryesore kampionale në mes Gjilanit dhe Ballkanit, ishin mesazhi më i keq i mundshëm i reprezentimit të sportit kosovar, si në nivel vendi ashtu edhe para opinionit ndërkombëtar, ku Kosova qe gjashtë vjet është anëtare e organizatave kryesore të futbollit global, Federatës Ndërkombëtare të Futbollit – FIFA dhe asaj Evropiane të Futbollit – UEFA, , shkruan “gazeta Express”

    “Sa me gëzim i kemi përjetuar të gjitha ngjarjet madhore të 2016-ës kur Federata e jonë u anëtarësua në këto nivele të futbollit. Por, shumë herë më rëndë e kemi përjetuar të dielën e 3 prillit të këtij viti. Organizimet e ngjarjeve sportive do të duhej të ishin obligim i padiskutueshëm i secilit klub, sikurse edhe i organizmave të tjerë të këtij sporti, përfshirë këtu edhe vetë Federatën gjegjëse, për të ofruar siguri për çdo akter në fushë, duke i përfshirë futbollistët, stafet e skuadrave, gjyqtarët, delegatët e ndeshjeve, gazetarët e deri te vetë tifozët”, përfundoi deputetja Reshitaj, e cila është nënkryetare e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport.

    Dy tifozë/huliganë po qëndrojnë në paraburgim në Gjilan pas sulmit fizik ndaj portierit shqiptar, ndërsa Gjilani e humbi në tavolinë, 0:3 ndeshjen me Ballkanin.

    “Skifetarët” pritet të marrin edhe dënime të tjera për rastin në fjalë, shkruan “Gazeta Express”.

    Gjithçka kishte ndodhur në minutat shtesë të lojës kur Gjilani e barazoi rezultatin dhe tifozët e vërshuan fushën, me ç’rast disa prej tyre, në vend se të festonin, e sulmuan brutalisht portierin e Ballkanit, i cili me këtë rast përfundoi pa vetëdije në spital.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark