×
Show

Në rrënjët e vikingëve

Insajderi
30 August 2016 - 19:57
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Pak popuj apo grupe njerëzish, kanë ushtruar një ndikim të tillë në kulturën popullore sa vikingët. Ata na kanë dhënë çdo gjë, nga themelimi i qyteteve moderne tek superheronjtë në librat komikë. Eksplorimet dhe sulmet e tyre, vendosën ishuj dhe madje kontinente në harta. Plaçkitjet e tyre janë natyrisht legjendare.

E megjithatë, shumica e asaj që është trashëguar në kulturën popullore mbi vikingët janë vetëm legjenda. Vikingët, të paktën ashtu siç janë përshkruar gjerësisht – lundërtarë me helmeta me dy brirë, që konsumonin verë mjalti në gota të përshtatura prej kafkave njerëzore dhe me dëshirë të madhe për të vdekur me lavdi në fushën e betejës – në fakt nuk kanë ekzistuar.

“Madje edhe ‘shprehja’ me e famshme – Nga furia e Njeriut të Veriut, Zot i mirë, na çliro”- është me gjasë një mit. Ajo i është atribuar shumë figurave fetare të kohës, dhe është e qartë se shumë njerëz u lutën pikërisht për këtë. Por burimi i vërtetë origjinal është i vështirë për t’u gjetur; dhe mund të mos ketë një të tillë. Mundet që shprehjet më të shpeshta që lidhen me vikingët, frazat që më shumë se çdo gjë tjetër përmbledhin veprat e tyre, të jenë në vetvete një shpikje moderne”.

“Më shumë se çdo gjë tjetër, anija e gjatë është një simbol i vikingëve.

Me këto anije të vogla por tejet të manovrueshme, ata luftuan, bastisën, tregtuan dhe shtynë më tej kufijtë e botës së njohur. Realiteti i njerëzve që janë bërë të njohur si vikingët, është shumë më kompleks sesa versioni popullor; në të njëjtën kohë shumë më të zakonshëm dhe në shumë aspekte edhe më të pabesueshëm sesa tregimet e njohura të kalorësve të etur për gjak dhe luftëtarëve të zymtë.

Këta qenë njerëzit që udhëtuan përgjatë Oqeanit armiqësor të Atlantikut të Veriut në anije të hapura, bartnin anijet e tyre në rrugë tokësore për të arritur lumenjtë rusë, dhe lundruan drejt tyre për të gjetur partnerë të rinj tregtarë ose burime plaçkitjeje. Ata qenë eksplorues, kolonë, tregtarë dhe luftëtarë, ndërsa trashëgimia e tyre ndihmoi në formësimin e botës moderne”. Pjesa më e madhe e asaj që ne dimë për vikingët vjen nga vendvarrimet si ky i zbuluar në Aalborg të Danimarkës. Gjetjet duhet të interpretohen në mënyrë korrekte, nëse duam ato duhet të rrisintë kuptuarit tonë mbi kulturën Vikinge.

Dëshmi historike

Ajo që ne dimë për vikingët vjen nga shumë burime, asnjëri prej tyre plotësisht i besueshëm. Arkeologjia konvencionale ka zbuluar objekte, vendvarrime dhe vendbanime, duke na lejuar të studiojmë atë që vikingët lanë pas – por vetëm sasi relativisht të vogla materialesh janë ruajtur mirë. Ne mund të nxjeerim përfundime dhe bëjmë pandehma shkencore mbi rëndësinë apo edhe funksionin e një çështje, por s’mund të jemi të sigurtë.

Disa ‘fakte’ të njohura janë nxjerrë nga burime relativisht të errëta, të tilla si një cohë e kalbëzuar se bashku me një stoli të gjetur brenda një varri. Edhe pse ekspertë shumë inteligjentë ngrenë teori të ndryshme, ata kurrë s’mund të jenë më shumë sesa hamendësues të mirë. Arkeologjia eksperimentale na ka lejuar të mësojmë se si vikingët ndërtonin shtëpitë dhe anijet e tyre, dhe si luftuan.

Ndërsa për disa ri-sjellja e tyre në kohët moderne kufizohet tek realizimi i ‘filmave me Vikingë’, shumë studiues të përkushtuar kanë bërë një punë të mirë në rindërtimin e asaj që mund të ketë qenë bota e tyre dikur. Në kushtet e luftimit me një sëpatë apo ndërtimit të një anije, shanset janë që një person që punon në kushte të ngjashme dhe me të njëjtat materiale dhe mjete, do të kishte një qëndrim të ngjashëm në çfarëdolloj shekulli që të ndodhej”.

Për disa, ri-kujtimi i Vikingëve është një lojë zbavitëse për të bërë të besohen disa dëshmi. Për të tjerët ata janë një mundësi për kërkime në terren mbi çdo aspekt të mënyrës së jetesës së Vikingëve. Ne gjithashtu mund të mësojmë shumë nga shkrimet historike, por ato janë pashmangshmërisht të njëanshme. Ne i detyrohemi shumë nga ajo që është shkruar në lidhje me Vikingët klerikëve të kishave, ose banorët e mbretërive që kishin ndjerë zemërimin e skandinavëve.

Edhe pa paragjykimin e qëllimshëm, pikëpamja e tyre do të ishte e nuancuar nga fakti se ata vetë nuk qenë Vikingë, dhe nuk e kuptonin psikologjinë apo mënyrën e jetesës së këtyre të fundit. Në shumë raste ata kanë shkruar duke u bazuar tek vëzhgimi vetëm i një segmenti të shoqërisë Vikinge – zakonisht luftëtarët, plaçkitësit ose palët tregtare, sjellja e të cilëve në tokat e huaja mund të kenë qenë krejt të ndryshme nga jeta e tyre në shtëpi.

Një nga burimet më të “drejtpërdrejta” mbi vikingët është korpusi i poezive dhe historisë gojore që formon sagat. Megjithatë, këto janë rrëfime heroike të treguara pa pushim për vite me rradhë “derisa ato u shkruan më në fund pasi kishin kaluar shumë shekuj nga ngjarjet që përshkruajnë”. Në shumë raste, ngjarjet e një sage mund të jenë të lidhur me dëshmitë historike ose vërtetohen me mjete të tjera, por në fund të fundit sagat janë aventura të trilluara që mund të jenë më të sakta sesa romanet mesatare historike.

Kur merren të gjitha së bashku, këto burime na mundësojnë ndërtimin e një panorame se cilët qenë dhe çfarë bënë Vikingët – dhe, më e rëndësishmja, pse. Imazhi i popullarizuar i shkatërrimeve të qëllimshme dhe masakrave të kryera nga turmat e burrave të pisët me flokë të gjata, nuk është shumë i pajustifikuar. Vikingët kryenin plaçkitje dhe shkatërronin vendet me vlera dhe bukuri. Bastisjet e tyre sollën mjerim tek viktimat e tyre, dhe trazira në shumë rajone. Ata gjithashtu zhdukën shumë njerëz që qenë në pozitën për të shkruar historinë.

Kisha e krishterë i kishte frikë dhe i urrente vikingët për shkatërrimin e manastireve; klerikë të shquar u angazhuan që aktet e veprat e plaçkitësve të regjistroheshin dhe bëheshin të njohura. Zemërimi i tyre qe i justifikueshëm dhe i kuptueshëm, por ajo qe vetëm njëra anë e tregimit. Në pak fjalë, Vikingët patën kundër një shtyp të keq, si pasojë e zgjedhjes së objektivave të tyre, dhe “për vite me radhë shumë nga ajo që dihej” rreth tyre, ishte e bazuar në atë që shkonte deri në një propagandë armiqësore.

Është e vërtetë që Vikingët qenë një popull i dhunshëm. Forca dhe aftësia për të luftuar, qenë jetike për mbijetesën e tregtarit ose eksploratorit, dhe një njeri duhej të mbronte shtëpinë, familjen dhe komunitetin e tij nga ata që përndryshe do t’i merrnin gjithçka që kishte. Aktet e Vikingëve “kishin kuptim nga perspektiva e tyre, dhe padyshim disa prej tyre gëzoheshin për shkatërrimet që ndodhnin dhe se “ishin arsyet ekonomike, politike dhe sociale ato që i nxisnin”, shkruan mapo.al

Ata nuk ishin të vrasës të çmendur, që ekzekutonin të gjithë që i dilnin përpara. Ekzistonte një logjikë tek bastisjet dhe modelet e tyre të vendosjes.

Përfitimet e tyre qenë në kurriz të të tjerëve, por kjo ishte bota në atë kohë. Më të fortët merrnin nga më të dobëtit, dhe fati favorizonte më trimat. “Pjesa më e madhe e informacionit ‘të dorës së parë’ që kemi mbi Vikingët vjen nga sagat, të cilat u përcollën si një traditë gojore për gjeneratat e mënovshme, para se në fund të hidheshin në letër”.

Fama

Vikingët ishin sigurisht të fortë dhe të guximshëm. E tyrja qe një kulturë që vlerësonte “famën” mbi çdo gjë tjetër. Ata besonin se një njeri mund të fitonte një lloj pavdekësie, nëse veprat e tij kujtoheshin dhe diskutoheshin në mesin e të gjallëve. Një jetë e shkurtër, por e shquar, qe më e mirë sesa dekada mediokriteti.

Fama u fitua nga trimëritë në betejë, bëmat spektakolare në lundrime, fitoret në garat burrërore të forcës dhe kështu me radhë. ‘Tërbimi’ i vikingëve ishte kryesisht i nxitur nga presioni i kolegëve, me luftëtarët që nuk dëshironin të mbeteshin pas shokëve të tyre. Ndaj nuk është çudi, që këta njerëz shëtisnin nëpër gjithë botën e njohur dhe zgjeronin kufijtë e saj. Ata merrnin atë që donin kur paraqitej mundësia, dhe kishin pak respekt për ata që qenë më të dobët se vetja.

Epoka Vikinge

Vikingët i përkasin një periudhe shumë të saktë historike. Epoka Vikinge, siç njihet nga historianët, filloi me një bastisje të përgjakshme në Lindisfern të Britanisë së Madhe në vitin 793 Pas Krishtit, dhe mbaroi në Hastings në vitin 1066. Në 300 vitet e aksioneve të tyre apo më shumë, kultura Vikinge ndryshoi në mënyrë të dukshme.

Ndoshta më e rëndësishmja, ndryshimet e sjella nga vikingët qenë të mëdha; shkalla e dukshme e ndikimit të tyre në shoqëritë e mëvonshme është e vështirë për të kuptuar. Për të kuptuar plotësisht efektet që paten Vikingët në histori, dhe efektet që kanë ende sot, është e nevojshme të shqyrtohen veprimet dhe kultura e tyre, të kuptohet se kush qenë dhe nga erdhën.

E tyrja nuk është një përrallë e thjeshtë. Ata lanë gjurmë ndër shekuj për të krijuar një legjendë që mund të jetë edhe shtrembëruar në pjesë të caktuara, por që mbetet një nga rrëfimet më të mëdha të gjithë historisë. Vikingët e pare që mbërritën në Lindisfearn në vitin 793 Pas Krishtit, do të kishin qenë të kënaqur me shkallën e famës që do të fitonin. Ata kanë vdekur prej shumë kohësh, plaçkitjet kaluan dhe shoqëria e tyre u zhduk nga Toka, por veprat e tyre janë ende të shpalosura në shekullin XXI. Pak popuj kanë arritur në ndonjë rast tjetër më shumë. /www.bota.al

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark