×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Në shoqëri me Kryetarin, më e shtrenjta – Kush është biznesmenja që e mori tenderin e dyshimtë të Prishtinës?

    Insajderi
    09 April 2024 - 14:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në “Facebook” nuk i ndahet Kryetarit Përparim Rama me lavde. Në një takim për strategjinë e Komunës madje ai e kishte ulur ne krye të vendit. Iris Gjinovci, biznesmenja nga Shqipëria e me vendbanim në Londër, por me biznes në Lipjan, është përzgjedhur për të marrë tenderin e dyshimtë të komunës që drejtohet nga LDK-ja. Një hulumtim i Insajderit ka gjetur se është kompania më e shtrenjtë. Për më shumë, vitin e kaluar i është hequr edhe licenca nga ATK-ja.

    Gazeta Insajderi

    “Jemi mbledhur për të analizuar dhe diskutuar objektivat dhe strategjinë për realizimin e programit tonë me qëllim të transformimit të Prishtinës”, kishte shkruar në shkurt të vitit 2022 Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Në faqen e tij në Facebook publikoi edhe panelin e njerëzve me të cilët po e bënte strategjinë.

    Në krye të vendit, bashkë me të shihet edhe biznesmenja nga Shqipëria, por me vendbanim në Londër e që ka biznes të regjistruar në Lipjan, Iris Gjinovci.

    Rama nuk kishte përmendur emrat e personave që i thirri në këtë ekskursion fundjave. Dhe, as në çfarë cilësie po merrte pjesë aty Gjinovci.

    E njëjta është aktive edhe vet në Facebook, dhe dallohet edhe për komentet lavdëruese që ia bënë kryetarit Rama.

    “Super iniciative, kjo duhej. Është një zonë e përbashkët pune-jetese për banoret, pra e përshtatshme për administrim te bashkërenduar”, i komentoi ajo Kryetarit Rama kur ai promovoi një iniciativë për të bashkëpunuar me komunat që e rrethojnë Prishtinën.

    Sa ishte në garë elektorale, e kishte promovuar në llogarinë e saj.

    Dhe, krejt kjo afërsi ka lulëzuar me një tender të majmë.

    Më 8 prill 2024 Komuna e Prishtinës ka nxjerr një vendim të ri për tenderin për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore, që ishte denoncuar nga ish-Nënkryetarja Donjeta Sahatçiu si i dyshimtë e korruptiv.

    “Komuna e Prishtinës shpërblen me kontrate OE- “Schoolme Implementation & Consulting Sit P.K.-Loco 1. “me cmitni pre.) 256,040.00€” , thuhet në këtë njoftim, raporton Gazeta Insajderi.

    Kjo kompani është në pronësi të Iris Gjinovcit, dhe në Regjistrin e Bizneseve është regjistruar në maj të vitit 2022.

    Por, për më shumë kompania del të mos jetë duke performuar mirë kjo pasi që te lista e bizneseve që u është anuluar certifikata e TVSh-së, figuron edhe “Schoolme Implementation & Consulting ShP.K” dhe ky informacion është publikuar më 27.09.2023.

    Shpërblehet kompania më e shtrenjtë

    Sipas vendimit që ka publikuar Komuna e Prishtinës më 8 prill, dhe që kompania e biznesmenes Iris Gjinovcit të ketë qenë kompania më e shtrenjtë në garën për tenderin për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore.

    Në garë ishin edhe shtatë kompani të tjera, ku më e lira ishte 103 mijë euro, kurse e dyta më e shtrenjta pas “Schoolme Implementation & Consulting ShP.K” ofertoi me 245 mijë euro.

    Por, Komuna e drejtuar nga Përparim Rama i LDK-së vendosi që tas shpërblente firmën e Gjinovcit me çmimin më te shtrenjtë, me mbi 256 mijë euro.

    Publikisht këtë tender e  kishte denoncuar si skandal Ish-nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu.“…me specifika e planifikim buxheti skandaloz”, ka shkruar Sahatçiu.

    Ajo pati përmendur që ishte ajo që nuk e nënshkroi dokumentin që ky tender të shkonte përpara, por këtë e bëri kryetari Përparim Rama.

    “Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit”, pati shkruar ajo duke komentuar që sipas saj ky tender u bë me specifika e planifikim buxheti skandaloz.

    Çka kishte thënë Auditori për këtë tender?

    ZKA në raportin për vitin 2022 kishte bërë vërejtje sa i përket projektit për digjitalizimin e mësimit në shkollat në Kryeqytet, duke dhënë edhe një historik më shpenzim të parasë publike në këtë projekt e me dështime.

    “Komuna kishte lidhur kontratë të negociuar për “Implementimin e platformës online për digjitalizim të shkollave”, në shumën totale për vit 174,000€, përkatësisht 14,500€ për muaj, platformë e cila është krijuar paraprakisht nga i njëjti operator ekonomik. Për këtë shërbim, Komuna ka pasur edhe dy kontrata paraprake gjatë vitit 2020 dhe 2021, ku kontrata e parë është lidhur në kohëzgjatjen prej pesë muajsh në shumën 41,500€, ndërkaq kontrata e dytë është lidhur për tetë muaj në vlerë prej 87,760€”, thuhet në raportin e auditorit.

    ZKA konstaton se edhe pse u shpenzuan këto para publike, platforma dështoi.

    “Për veç kësaj, platforma nuk ishte funksionale që nga dhjetori 2022, për shkak të skadimit të kontratës me Operatorin Ekonomik (OE). Për më tepër kodi burimor i platformës është në pronësi të OE.

    Sipas zyrtarëve të Komunës, kjo kishte ndodhur si pasojë e mungesës së njohurisë për kërkesat të tilla.

    Prandaj, kjo tregon edhe mungesë të kontrollit nga Komuna, për procesin që nga inicimi i projektit, po ashtu, edhe në menaxhimin e platformës së kontraktuar, në mënyrë që kjo të jetë në funksion të vazhdueshëm”, thuhet në raport.

    Rregullorja nr. 06/2018 për menaxhimin e projekteve në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, përcakton standardet dhe rregullat për inicimin, planifikimin, ekzekutimin, monitorimin dhe kontrollin për menaxhimin e projekteve në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Në nenin 6 përcaktohet që, për inicimin e projektit institucionet marrin pëlqimin paraprak nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).

    Mirëpo, Komuna e Prishtinës nuk kishte marrë pëlqimin paraprak nga ASHI për inicimin e projektit, kërkesë kjo e Rregullores për menaxhimin e projekteve në fushën e Teknologjisë së Informacionit.

    Gazeta Insajderi e kishte pyetur këtë agjenci që kur u ri-shpall ky tender se a ka marrë leje tash, por e njëjta ende nuk është përgjigjur.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark