×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Në shoqëri me Shevalin, biznes me djalin e Tom Doshit- historia tjetër e biznesmenit shqiptar që u arrestua në Kosovë

    Insajderi
    20 February 2024 - 12:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Arlend Gjoni që u arrestua në Kosovë nën dyshimin për kanosje të biznesmenit Driton Shuki ka edhe një histori tjetër me miqësi e biznese. Gazeta Insajderi ka siguruar fotografi të shoqërimit të tij me Sheval Muharremin, i njohur si “bosi i Gërçecit” tashmë në kërkim nga autoritetet maqedonase dhe ato ndërkombëtare. Ai u shoqërua edhe me Orhan Bajramin, biznesmenin e vrarë në Greqi. Hulumtimi i Insajderit ka gjetur se ai ka lidhje biznesore edhe me te birin e Tom Doshit, të cilit SPAK ia ndaloi aktivitetin politik si shkak i pasurisë së fshehur.

    Gjoni ka fotografi përkrah me dy themelues të grupit kriminal “Gërçeci”. Në të majtën e tij është Muharremi, narkodileri ndërkombëtar i cili u shpall në kërkim në janar të këtij viti nga vetë Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski. Ndërkaq, në të djathtën e tij është Orhan Bajrami, i njohur si ‘Oki’, i cili u vra para një muaji në Greqi, raporton Gazeta Insajderi.

    Shevali dyshohet që bashkërisht me Orhan Bajramin i vrarë në Greqi verën e kaluar dhe Jeton Krivanjevën i vrarë në “Shisha Bar” në Shkup kanë krijuar grupin kriminal në të cilin janë bashkuar më shumë persona që mes tjerash kanë kryer vrasje dhe tentim vrasje.

    Sipas policisë, në vitin 2021 nga ky grup është vrarë Afrim Berisha dhe Burim Vardari, ndërsa në vitin 2020 është vrarë një shtetas i Shqipërisë.

    Grupi hetimor ka konstatuar se pas tentativës për vrasje ndaj Boris Mutkov-Fantom në vitin 2019 në Bardovcë qëndron grupi i krijuar nga Muharremi, Krivanjeva dhe Bajrami.

    Gjatë vitit që shkoi në Prishtinë u ekzekutua Blerim Daci nga Çairi, emër ky që në mediat maqedonase përfolej si autori i vrasjes së Jeton Krivanjevës, pjesës së bandës “Gërçeci”.

    Ministri i Punëve të Brendshme në Maqedoni, Oliver Spasovski pati thënë se opinioni do të çuditet me disa emra të cilët do t’i nxjerr hetimi në të ardhmen për grupin e Sheval Muharremit, me të cilin shoqërohej Gjoni.

    Është shumë i rëndësishme fakti se jemi pjesë e grupit “LIMIT” që punon ekskluzivisht me shfrytëzimin e të dhënave nga data baza e “SKY”, platformë të cilën neve nuk mundemi vetëm ta shfrytëzojmë. Këto hetime vazhdojnë edhe tutje dhe do të punohet ende. Ka shumë të dhëna dhe kemi vërtetuar se ka persona nga institucionet e shtetit që ishin bashkëpunëtor të grupit kriminal. Do të jeni dëshmitar të shumë zhvillimeve në të ardhmen, ndërsa ndonjëherë do të çuditeni edhe me emrat që do të dalin”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministri i Brendshëm.

    Orhan Bajrami vitin që shkoi u vra në Greqi. Ndaj tij dhe Sead Slezovic u shkrepën 20 plumba nga dy persona të maskuar në motoçikletë në drejtim të tyre.

    Djali i Tomë Doshit, bashkëpronar në biznesin e Arlend Gjonit

    Në emër të Gjonit figuron firma iFuel.

    Biznesi ‘iFuel’ aktivitet biznesor ka tregtimin me pakicë të karburanteve dhe transportit të tij. Po ashtu, në bazë të përshkrimit në platformën ‘OpenCorporates’ thuhet se firma në pronësi të Arlend Gjonit bën edhe eksportimin jashtë vendit të produkteve të ndryshme industriale.

    Bashkëpronar i kësaj kompanie figuron djali i ish-deputetit të Shqipërisë Tom Doshit, James Doshi. Sipas mediave në Shqipëri, ai ka blerë 49 për qind të aksioneve të kompanisë së biznesmenit shqiptar të arrestuar dje.

    Tom Doshi është në listën e zezë amerikane, i cili dyshohet për pastrim parash, korrupsion dhe skema mashtruese.

    Deputeti Doshi dhe familja e tij ndalohen të shkojnë në SHBA.

    Dosja e Prokurorisë për Arlend Gjonajn

    Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e Prokurorisë, ku thuhet se përmes rrjetit social ‘WhatsApp’ biznesmeni nga Shqipëria e kishte kërcënuar atë nga Kosova, duke iu drejtuar me fjalët “atë që ja kam bërë djalit të tezes tende … (ngjarje që kishte ndodhur në Shkup), ty do ta bëjë në lule të ballit”.

    “Me daten 30.09.2023, ne ore te pacaktuar, i pandehuri, me qellim te frikesimit dhe ankthit, seriozisht e kanos me fjale personin tjeter këtu të dëmtuarin Driton Shuki, se do ta privoj nga jeta, në atë mënyrë që i pandehuri pas një mosmarrëveshje paraprake që kishte me të dëmtuarin lidhur me një vajzë nga Shkupi, që i pandehuri ishte në lidhje dashurie me të, ditën kritike përmes rrjetit social WhatsApp, e kanos të dëmtuarin duke ju drejtuar me fjalët “atë që ja kam bërë djalit të tezes tende … (ngjarje që kishte ndodhur në Shkup), ty do ta bëjë në lule të ballit””, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

    Pas deklaratës që ka dhënë në Polici, sipas dosjes së Prokurorisë, biznesmeni nga Kosova pasi që është kanosur ka thënë se ka informacione se i pandehuri po kërkon njerëz me pagesë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut për ta ekzekutuar atë.

    Nga deklarata e të dëmtuarit e dhënë në cilësi të dëshmitarit në Polici më datën 15.11.2023 i cili në deklaratën e tij ka dekalruar se është kanosur nga i pandehuri dhe njëherë i ka preznatuar provat siç janë transkriptimi i bisedave duke shtuar se pas pranimit të kërcënimit nga i pandehuri i njëjti është ndjerë i kërcënuar nga i pandehuri duke deklaruar se ka informata të besueshme se i pandehuri është duke kërkuar njerëz me pagesë të kryer vrasjen e atij dhe ata në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri dhe në Kosovë”, vijon dosja.

    Në ora 13:00 pritet të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të shqyrtohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit nga ana e Prokurorisë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark