×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Në takimin me Sekretarin Blinken, udhëheqësit e vendeve arabe pritet të bëjnë thirrje për armëpushim në Gazë

    Insajderi
    04 November 2023 - 14:36

    Vendet arabe aleate të Uashingtonit do të bëjnë presion ndaj Sekretarit të Shtetit Antony Blinken që të sigurojë një armëpushim të menjëhershëm në Gazë, gjatë një takimi të ministrave të jashtëm në Aman të shtunën, ndërsa Shtetet e Bashkuara përpiqen të bindin Izraelin për një ndërprerje të përkohshme të luftimeve për të lejuar hyrjen e ndihmave për palestinezët.

    Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim të plotë, por janë përpjekur të bindin Izraelin të pranojë pauza të përkohshme humanitare, një ide që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e refuzoi, pasi u takua me zotin Blinken të premten në Izrael.

    Sekretari Blinken po viziton rajonin për herë të dytë që pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor që shkakoi vdekjen e mbi 1,400 personave. 240 të tjerë u morën peng. Izraeli u kundërpërrgjigj mes sulme në Rripin e Gazës për të goditur grupin militant që Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë organizatë terroriste.

    Zyrtarët shëndetësorë në Gazën e drejtuar nga Hamasi thonë se më shumë se 9,250 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite që atëherë. Ushtria izraelite e ka vendosur Gazën nën rrethim, e ka goditur nga ajri dhe ka nisur një sulm tokësor, duke shkaktuar alarm global për kushtet humanitare në enklavë. Ushqimi është i pakët dhe shërbimet mjekësore po paralizohen.

    Ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Egjiptit dhe Jordanisë, si dhe përfaqësuesit palestinezë, do të vënë theksin tek “qëndrimi arab që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, ndihma humanitare dhe mënyrat për t’i dhënë fund përkeqësimit të rrezikshëm që kërcënon sigurinë e rajonit”, tha ministria e jashtme jordaneze në një deklaratë të premten.

    Pas takimit me zotin Blinken të premten, Kryeministri Netanyahu tha se Izraeli refuzoi një armëpushim të përkohshëm që nuk përfshinte lirimin e pengjeve.

    Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se bisedimet e Sekretarit Blinken me Kryeministrin Netanyahu dhe kabinetin e tij të luftës për pauzat humanitare të premten janë në vazhdën e trysnisë që filloi muajin e kaluar për të dërguar mallra humanitare në Gazë.

    Izraeli fillimisht refuzoi, por më pas lejoi hyrjen e ndihmës. Më shumë se 100 kamionë me ndihma në ditë hyjnë tani në Gazë, tha zyrtari. Zyrtarët amerikanë thonë se nevojiten 500-600 kamionë në ditë për të plotësuar nevojat në enklavën që kontrollohet nga Hamasi.

    SHBA po i kërkon Izraelit që të bjerë dakord për pauza të përkohshme humanitare për të lejuar shpërndarjen e ndihmave, por Izraeli është i shqetësuar se Hamasi do t’i përdorte këto pauza për t’u riorganizuar dhe furnizuar.

    I dërguari i posaçëm i SHBA-së për çështjet humanitare në Lindjen e Mesme, David Satterfield, u tha gazetarëve që udhëtonin me zotin Blinken se shqetësimet e Izraelit ishin të kuptueshme, por se garancitë se Izraeli nuk do të vërë në shënjestër vende apo rrugë të veçanta janë një “domosdoshmëri strategjike” për të dërguar ndihmat tek ata që kanë nevojë.

    “Ne duam të shohim krijimin e mundësisë për lëvizje të sigurt dhe të qëndrueshme të ndihmës humanitare, jo vetëm nëpër pikëkalimin kufitar Rafah, por aty ku ka nevojë në tërë pjesën jugore”, tha ai, duke shtuar se mes 800,000 dhe 1 milion njerëz janë zhvendosur tashmë nga veriu në jug.

    Mbreti Abdullah i Jordanisë, një aleat i SHBA-së, i tha kancelarit gjerman Olaf Scholz gjatë një bisede telefonike të premten se komuniteti ndërkombëtar duhet të nxisë urgjentisht një armëpushim të menjëhershëm në Gaza.

    Shtetet arabe janë të shqetësuara nga rreziku i përhapjes së konfliktit në rajon. Hezbollahu i Libanit dhe milicitë shiite irakiane të mbështetura nga Irani kanë nisur sulme ndaj Izraelit që nga 7 tetori, ndërsa milicitë shiite irakiane të mbështetura nga Teherani kanë qëlluar edhe mbi forcat amerikane në Irak dhe Siri.

    Kryeministri i përkohshëm i Libanit Najib Mikati theksoi nevojën urgjente për një armëpushim në Gaza gjatë një takimi me zotin Blinken në Jordani të shtunën, tha zyra e zotit Mikati.

    Ai tha gjithashtu se “agresioni izraelit” në Libanin jugor duhet të ndalet.

    Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller tha se Sekretari Blinken kishte “ndarë shqetësimin e tij të thellë për shkëmbimet e zjarrit përgjatë kufirit jugor të Libanit me Izraelin dhe theksoi se është e rëndësishme që konflikti Izrael-Hamas të mos përhapet më tej”./VOA

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark