
Një projekt eksperimental i titulluar #JoVetemNe8Mars, i realizuar në Tiranë nga “United Nations Albania”, ka shpërfaqur injorimin e shoqërisë shqiptare ndaj dhunës që ushtrohet ndaj grave.
Nëpërmjet kësaj video, shihet sesi qytetarë të shumtë në Tiranë kalojnë pa reaguar pranë një makine të njohur si rulot, brenda së cilës dëgjohet zëri i një vajze që rrahet nga një burrë.
“Vendosëm të bëjmë diçka për të ekspozuar dhunën. Kështu zgjodhëm dy aktorë profesionist edhe një rulot”, thuhet në përshkrimin e videos.
Të dy aktorët janë xhiruar teksa përleshen ose në fakt teksa burri ushtron dhunë ndaj femrës dhe më pas janë lëshuar si pamje të vendosura në xhamin e makinës që nga jashtë duket sikurse dhuna po ndodhë aty.
Makina është vendosur në hapësirat publike në Tiranë, aty ku dhuna do të ishte më e vështirë ëpr t’u injoruar. Por ndodhë e kundërta. Shumica e kalimtarëve e dëgjojnë britmën dhe e shohin rrahjen në ekran por kalojnë pa vepruar.
“Shpesh reagimet ishin të vakta dhe shumë kalimtar vazhduan punën e tyre”, thuhet në video.
Por dikush qëndroi. Ai ishte një fëmijë i cili për disa minuta ka tentuar që të ndihmojë vajzën duke i ndalur njerëzit që të ndihmojnë, por nuk e përfillë askush.
Megjithatë pas disa minutash disa të tjerë ndalojnë dhe telefonojnë policinë ose të hyjnë brenda.
E kur e kanë bërë këtë, atyre u është shfaqur motoja “Dhuna është edhe punë e jotja”.
Sipas “United Nations Alabania” 60 për qind e grave dhe vajzave në Shqipëri kanë raportuar se kanë përjetuar dhunë fizike psikologjike ose seksuale. Mijëra raste raportohen çdo vit pa u vënë re.