×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Në vitin 2013 patën votuar…”, Kurti godet Thaçin në postimin rikujtues për natën e tmerrit në Mitrovicë

    Insajderi
    04 February 2024 - 19:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dhënë hapësirë për kritikë edhe një ligji që u votua në kohën sa ishte kryeministër Hashim Thaçi në shkrimin përkujtues të natës së tmerrit në pjesën veriore të Mitrovicës, ku u vranë 10 shqiptarë më 2000’ën dhe u lënduan dhjetëra të tjerë në një tentim të spastrimit etnik.

    Kurti, në postimin përkujtues të shpërndarë në ‘Facebook’ ka përkujtuar se si në Kuvendin e Kosovës u votua Projektligji për Amnistinë, që sipas tij ka amnistuar kriminelët në veri të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Masakrimi dhe dëbimi i shqiptarëve të kryera në funksion të spastrimit etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas, u krye vetëm tetë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë. Ndryshimi drastik i realitetit në terren, krijoi kushte shtesë për thellimin e ndarjes fizike të qytetit të Mitrovicës në dy pjesë. Ajo u realizua nën vëzhgimin e trupave ushtarake të KFOR-it, kurse u pasua nga mosveprimet e liderëve politikë shqiptarë të asokohe në Kosovë. Madje, këta të fundit, në vitin 2013 patën votuar në Kuvendin e Kosovës ligj për aministimin e kriminelëve në veri të Kosovës, thuhet në postimin e tij.

    Lëvizja Vetëvendosje e pati dërguar më 2013-ën në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim këtë ligj. Kushtetuesja në vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji, kishte thënë se përmbajtja e tij ishte në përputhje me kushtetutën.

    Ligji mundësonte amnisti në tri raste, përkatësisht ndaj atyre që kanë kryer vepra penale kundër rendit kushtetues, atyre që kanë bërë thirrje për rezistencë dhe amniston kryesit e veprës penale të huliganizmit.

    Disa prej veprave penale që parashihen të falen në kuadër të këtij ligji janë veprat kundër rendit kushtetues, për kryengritje të armatosur, rrezikimi i integritetit territorial, spiunazhi, kalimi i paautorizuar i kufirit, nxitja e urrejtjes, ushtrimi i paligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe armëmbajtja pa leje.

    Sidoqoftë, kryeministri Kurti në përkujtimin e tij e la jashtë Oliver Ivanoviqin, të dënuarin nga gjykata për këtë masakër.

    Ivanoviq, sipas aktakuzës të asaj kohe, ishte udhëheqës i njësitit policor paramilitar dhe së bashku me komandantin e atëhershëm të policisë në Mitrovicë, Dragolub Delibashiq, akuzoheshin për veprën e nxitjes dhe bashkëpjesëmarrjes në kryerjen e veprave të rënda penale, vrasje dhe tentim vrasje, si dhe dëbim të shqiptarëve në Mitrovicë, gjatë trazirave, në shkurt të vitit 2000.

    Kurti në përvjetorin e vrasjes së Ivanoviqit, në një përkujtim të 2023-ës pati lavduar këtë të fundit. Ka thënë se Ivanoviq u angazhua për pluralizëm politik në Kosovë.

    “Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit”, pati thënë Kurti.

    “Një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij në Mitrovicë ndërsa këtë e ka bërë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”, vijonte Kurti për përshkrimin ndaj tij. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark