×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Nën hetime penale prokurori Igrishta vazhdon punën – Insajderi sjell detaje të kësaj historie

    Insajderi
    17 January 2022 - 15:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokurori, Blerim Igrishta është duke u hetuar nga një kolege e tij në Pejë. Ai është duke u hetuar edhe nga Këshilli Prokurorial me një procedurë disiplinore. Dyshohet se e ka keqpërdorur autoritetin e tij për çështje personale, megjithatë ai po vazhdon të punojë si prokuror. Punëdhënësit e tij kanë refuzuar të japin më shumë detaje.

    Insajderi

    Një banesë në vlerë prej 63 mijë e 918 euro e blerë në vitin 2017 në lagjen “Mati 1” në Prishtinë, e deklaruar nga Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Blerim Igrishta ka qenë “mollë sherri”, që ky i fundit të hetohet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga prokurori edhe për mënyrë se si e ka blerë banesën dhe vlerën e saj, duke pasur parasysh që banesat në kryeqytet kanë vlerë tejet të lartë. Nuk ka kthyer përgjigje.

    Me 31 gusht të 2021-ës, në kompleksin ku banon prokurori i Prokurorisë Themelorë në Prishtinë, Blerim Igrishta ishin prishur gypat, kishte pasur rrjedhje të ujit. Ai përdori fuqinë e tij si prokuror për ‘zgjidhjen’ e problemit. Fillimisht, prokurori kishte telefonuar kompaninë rajonale “Ujësjellësi”. Pastaj, personalisht kontaktoi ushtruesen e detyrës së drejtoreshës teknike në Ujësjellës, Lumnije Zekaj. Nga ajo kishte kërkuar që brenda 30 minuta t’ia zgjidhte problemin. Këtë kërkesë Zekaj e kishte cilësuar si shantazh e kërcënim. Vetme një ditë pas ajo dhe kolegët e saj për shkak të urdhrit të prokurorit përfundojnë në Stacion të Policisë, duke u marrë në pyetje. “Gjithçka me urdhër të prokurorit”, janë fjalët që Zekajt i janë thënë nga hetuesja policore e rastit. Nuk ishte asnjë shkresë zyrtare, urdhër për intervistim. Mjaftoi veç urdhri i prokurorit, Igrishta.

    Banesa e prokurorit, që keqpërdori detyrën e tij zyrtare është ndërtuar nga kompania “Nderimi Sh.P.K”. Gypi i shpërthyer është në pronë private pasi kompania “Nderimi” e kishte ndërruar pronën me Komunën e Prishtinës dhe gypi kishte mbetur në pronë private.

    Kompania “Nderimi” dhe Ujësjellësi kishin mbajtur disa herë takime dhe kishin shkëmbyer një mori e-mail-e ku kompanisë i ishte bërë e qartë se Ujësjellësi nuk ka të drejtë ligjore të ndërhyjë në prona private. Përkundër kësaj, prokurori ishte i pranishëm edhe në ditën kur zyrtarët e “Ujësjellësit” u morën në pyetje. Për të parë nëse urdhri po i shkonte deri në fund.

    Pas rastit, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës teknike në kompaninë rajonale “Ujësjellës”, ka hapur rast përmes avokatit, Tomë Gashi.

    “Unë jam njoftuar se për shkak të këtij keqpërdorimi është iniciuar procedurë penale kundër prokurorit, Blerim Igrishta. Po ashtu nga znj.Zekaj jam njoftuar se ndaj prokurorit është iniciuar edhe procedurë disiplinore në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në letrën e Gashit drejtuar zyrës së Kryeprokurorisë së Shtetit.

    Gashi, si përfaqësues ligjor njoftohet se çështja e prokurorit Igritsha ka kaluar në Prokurorinë Themelore në Pejë më konkretisht tek prokurorja, Valbona Haxhosaj.

    “Për shkak të funksionimit efikas të procedurës paraprake penale, mos cenimit të parimit të paanshmërisë, trajtimit profesional, si dhe heqjes së dilemave rreth qasjes së njëanshme-shmangies së konfliktit të interesit, ricaktohet-kalon në Juridiksion të Prokurorisë Themelorë në Pejë”, thuhet në përgjigje e zyrës së Kryeprokurorit drejtuar Gashit.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria Themelore në Pejë për të kuptuar se deri ku ka shkuar rasti me prokurorin Igrishta, por të njëjtit deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk kanë kthyer përgjigje.

    Punëdhënësit e Igrishtës kanë refuzuar të kthejnë përgjigje, por avokati mbrojtës i drejtoreshës Zekaj, Tomë Gashi po pretendon se prokurori, Blerim Igrishta edhe pse nën hetime nuk është suspenduar nga puna siç rëndom ndodh me zyrtarë që keqpërdorin detyrën zyrtare.

    “Super Prokurori Blerim IGRISHTA. Të gjithë zyrtarët e Institucioneve të Republikës së Kosovës, kur janë nën hetime penale suspendohen nga puna së paku deri në përfundim të hetimeve penale. Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë BLERIM IGRISHTA është nën hetime penale, lënda e tij është dërguar për hetim penal në Prokurorinë Themelore në Pejë, poashtu ndaj tij në Këshillin Prokurorial të Kosovës është inicu procedurë disiplinore kundër tij, por ai nuk suspendohet nga puna! A thua pse?”, thuhet në reagimin që ai bëri ditë më parë.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark