Është ortak në kompaninë e ndërtimeve “Butrinti”. Nga e njëjta merr edhe pagesë për punë edhe hise në fitim – devidentë. E njëjta firmë ka marrë edhe leje nga Komuna e Vushtrrisë, ku Shpëtim Zhegrova është nënkryetar.
Komuna e Vushtrrisë udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës. Në pozitën e nënkryetarit të komunës kjo parti e ka vendosur, Shpëtim Zhegrovën – që dikur ishte edhe kandidat i kësaj partie për deputet.
Në deklarimin e pasurisë, Zhegrova ka bërë të ditur se është aksionar në kompaninë “Butrinti Building SHPK”.
Një gjë e tillë konfirmohet edhe në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Biznesit në Kosovë.
Zhegrova këtu ka deklaruar se posedon aksione në vlerë prej 33 për qind.
Kjo kompani që operon edhe në komunën e Vushtrrisë, ka marrë leje në vazhdimësi për ndërtimin e objekteve banesore në këtë qytet, edhe në kohën sa numër dy në komunë të Vushtrrisë, është aksionari i kësaj kompanie, Shpëtim Zhegrova.
Për këtë Gazeta Insajderi ka siguruar edhe vendime të lëshimit të lejeve ndërtimore për kompaninë në fjalë.
Për këtë konflikt interesi dhe në pyetjen se a ka ndikuar pozita e Zhegrovës në komunë që drejtoria e Urbanizmit të lëshojë leje ndërtimore për kompaninë Butrinti, kanë heshtur të gjithë.
Kemi provuar të flasim direkt me z.Zhegrova, por pa përgjigje. Njësoj kanë vepruar edhe nga komuna e Vushtrrisë. Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje edhe në imellën zyrtare të kompanisë Butrinti, por as nga këta nuk kemi marrë përgjigje.
Derisa ata po heshtin, le të shohim pak pasurinë e deklaruar nga vetë nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë.
3 shtëpi, 1 banesë në madhësi prej 252 m2, dy lokale dhe parcelona tokë, në vlerë totale prej 833 mijë euro. Zhegrova ka deklaruar se të hyrat vjetore të tij janë në shifër prej 223 mijë – mbi 100 mijë nga to vijnë nga aksionet në kompaninë Butrinti.