Ministria e Mbrojtjes ka ndërprerë njëanshëm kontratën për ndërtimin e objektit të akomodimit në Kazermën e Istogut, pasi punimet nuk janë realizuar sipas afateve dhe planit të përcaktuar me kontratë.
Kontrata për projektin “Ndërtimi i objektit të akomodimit – Kazerma Istog” ishte nënshkruar më 10 gusht 2022, me vlerë prej 659 mijë e 660.68 euro.
Projekti ishte paraparë të realizohej brenda një periudhe dyvjeçare.
Tenderi, i ishte dhënë grupit të operatorëve ekonomikë Lani-AL Sh.P.K., Agim Morina B.I. dhe NNP CTA Sh.P.K.

Megjithatë, edhe pse kontrata parashihte përfundimin e projektit brenda dy vitesh, punimet nuk u realizuan sipas afateve të përcaktuara.
Ministria: Morëm masa ndaj kompanive
Ministria e Mbrojtjes, në një përgjigje për Insajderin, ka thënë se gjatë zbatimit të kontratës kishte ndërmarrë vazhdimisht masa për të kërkuar nga operatorët përmbushjen e obligimeve kontraktuale.
Sipas Ministrisë, këto masa përfshinin komunikime dhe paralajmërime zyrtare, vërejtje të menaxherit të kontratës, takime koordinuese dhe kërkesa për përshpejtimin e punimeve, si dhe dhënien e afateve dhe mundësive shtesë për përfundimin e projektit.
Por, sipas Ministrisë, grupi i operatorëve ekonomikë nuk arriti t’i përmbushte obligimet esenciale kontraktuale dhe nuk i realizoi punimet sipas planit dinamik, specifikimeve teknike dhe afateve të përcaktuara.
Pas konstatimit të shkeljeve të vazhdueshme, Ministria ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve dhe sigurimin e vendpunishtes dhe aseteve në lokacion.
Po ashtu, Ministria thotë se ka kërkuar dorëzimin e dokumentacionit teknik dhe administrativ dhe evidentimin e gjendjes së projektit, ndërsa ka proceduar edhe kërkesën për konfiskimin e sigurimit të ekzekutimit të kontratës.
Sipas Ministrisë, kompania e sigurimit ka konfirmuar miratimin e kërkesës për konfiskimin e garancisë.
Përveç kësaj, Ministria ka paraqitur pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit kërkesë për inicimin e procedurës për përjashtimin e operatorëve ekonomikë përgjegjës nga pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit publik.
“Janë ndërmarrë edhe veprime për konfiskimin e sigurimit të ekzekutimit dhe është paraqitur kërkesë pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit për inicimin e procedurës për përjashtimin e operatorëve ekonomikë përgjegjës nga pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit publik”, thuhet në përgjigjen e dhënë për Insajderi.
Megjithatë, OSHP-ja e ka refuzuar kërkesën për diskualifikimin e operatorëve, pasi ka vlerësuar se nuk ishin paraqitur prova që dëshmojnë mashtrim apo falsifikim të dokumenteve.
Ndërkohë, Ministria ka konfirmuar për Insajderin se kontrata tashmë është ndërprerë dhe se për përfundimin e punimeve do të zhvillohet një procedurë e re e prokurimit.
“Projekti do të përfshihet në planifikimin buxhetor dhe në planin e prokurimit për vitin 2027”, ka thënë Ministria.
Gazeta Insajderi ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga kompanitë që ishin shpërblyer me këtë kontratë, lidhur me vonesat në realizimin e projektit dhe ndërprerjen e kontratës nga Ministria e Mbrojtjes, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.