Një kontratë në vlerë prej 267 mijë eurove nga Komuna e Obiliqit iu dha vjehrrit të drejtoreshës për Mbrojtje të Mjedisit, Fitore Hashani, shkruan Insajderi.
Në tenderin e hapur nga Komuna e Obiliqit për shërbimin “Pastrim i mbeturinave ilegale, rrënimi i objekteve, pastrim i shtratit të prrockave-lumenjëve e shërbime tjera publike dhe për raste emergjente”, përfitues u zgjodh ‘EING COM SH.P.K” në pronësi të Naser Hashanit, vjehrrit të drejtoreshës, Fitore Hashani.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar drejtoreshën Hashani në lidhje me këtë tender. E njëjta ka mohuar se ka ndikuar në përzgjedhjen e fituesit.
“Sa i përket pyetjes tuaj aspak nuk qëndron, pozita ime këtu ka të bëjë me punët për të cilat jam emëruar e të cilat i kryej me përgjegjësi“, ka thënë drejtoresha nga Drejtoria për Mbrojtjet e Mjedisit, Fitore Hashani.
Komuna e Obiliqit hapi tenderin me 20 tetor 2022. Në këtë tender aplikuan shtatë kompani.
Kompania e Naser Hashanit, vjehrrit të zyrtares së lartë komunale, konkurroi në konzorcium me një kompani tjetër. Me kompaninë Daut Hashani Obiliq. Ky konzorcium i këtyre dy kompanive, bazuar në dosjen e këtij tenderi, kishte ofruar çmimin më të lirë në krahasim me 6 operatorët tjerë.
Kjo kontratë është e tipit kornizë dhe është në kohëzgjatje prej tri vitesh. Kontrata ka hyrë në fuqi me 30 janar 2023 dhe përfundon me 29 janar 2026, raporton Gazeta Insajderi.
Gazeta Insajderi