×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Nëse s’do ta zbardhë, le t’ia dorëzojë rastin dikuj tjetër”- Haxhiu i sulet prokurorit Shefkiu pas dhënies së dëshmisë në rastin Dehari

    Insajderi
    20 November 2023 - 14:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dhënë dëshmi para Prokurorisë Speciale në lidhje me rastin e aktivistit të VV-së, Astrit Deharit.

    Ajo pas dhënies së kësaj dëshmie ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka dhënë kritika për prokurorin e rastit, Afrim Shefkiu, raporton Gazeta Insajderi.

    Haxhiu tutje u shpreh se prokurori është ai që duhet t’i bëjë hetimet.

    “Po ta kisha emrin e kryesit apo kryersve të veprës penale, unë nuk do ta prisja ftesën e prokurorit për ta thënë emrin e personit që dyshohet, e kjo është puna e tij, për këtë paguhet nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për këtë ai është prokuror, që të bëjë hetime, punën e tij unë nuk mund ta bëjë”, u shpreh ajo në konferencë.

    Pos tjerash, Haxhiu tha se i qëndron mbrapa asaj çfarë ka thënë në Prokurori. Duke minuar punën e Prokurorisë, ka thënë nëse ata nuk duan ta zbardhin, duhet ta dorëzojnë rastin dikuj tjetër.

    “Mos-lejimi i Tomë Gashit [avokati i familjes Dehari] brenda gjatë kohës sa kam dëshmuar është veprim i jashtëligjshëm i prokurorit. Ai është arrogant me krejt ata që flasin për këtë rast”, deklaroi ajo më tej.

    Deklaratat e saj vijnë pas ftesës që ia bëri prokurori i rastit Dehari, Afrim Shefkiu, ministres Haxhiu për statusin e saj në “Facebook’ në përvjetorin e Astrit Deharit.

    Prokurori ka kërkuar nga ministrja që të jep sqarime lidhur me një postim të datës 05.11.2023 në të cilin ministrja ka deklarauar se “Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast…”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark