“Jemi duke u përballur me krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, duke komentuar tensionet në rritje midis Kosovës dhe Serbisë.
Borrell tha se të dyja palët duhet urgjentisht të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve.
Ai tha se 21 nëntori – dita kur, sipas planit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave, pritet të nisë gjobitja e shoferëve me targa të paligjshme – nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat.
Sot është data 20, dhe ende nuk ka një marrëveshje mes palëve mbi këtë çështje.
Por, mbetët të shihet çfarë do të ndodh nesër në takimin ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, në ditën kur sipas planit të Qeverisë parashihet të nisë zbatimi i fazës së dytë për regjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, e cila parasheh gjobë prej 150 euro.
Ky i fundit ka thënë tha se nuk është optimist për takimin e 21 nëntorit në Bruksel, ku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë”, tha Vuçiq më 20 nëntor në një intervistë për televizionin Prva, transmeton Gazeta Inasajderi.
Vuçiq ka konfirmuar se takimi do të fillojë në orën 8 në mëngjes, dhe ka ripërsëritur kushtet e Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe anulimin e vendimin për targa.
Ndërkohë, Kurtit pritet të niset sot për Bruksel, por ende nuk ka thënë asgjë për pritjet që mund t’i ketë nga takimi me Vuçiqin.
Mbi këtë çështje nuk ka folur as Zyra e tij, ndonëse është pyetur nga Gazeta Insajderi.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për targat. Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.
Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për regjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, shkruan Gazeta Insajderi.
Besohet se në Kosovë janë rreth 10 mijë makina me targa serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për regjistrimin për targat.
SHBA-ja ka thënë se pajtohet me BE-në që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.
“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë Policinë, Gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Christopher Hill për televizionin N1.
Serbët ishin integruar në institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, pasi Prishtina dhe Beogradi kishin arritur një marrëveshje më 2013, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian./Gazeta Insajderi/