×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Nga 24 hektarët e Manastirit të Deçanit në formalizim të Statusit (special) të Kishës Ortodokse Serbe, çfarë ndodhi?

    Insajderi
    29 March 2023 - 16:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Njëra nga kërkesat e pandërprera të ndërkombëtarëve drejtuar qeverive të Kosovës (që nga viti 2016) ka qenë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për njohjen e pronësisë së 24 hektarëve tokë të Manastirit të Deçanit. Këtij vendimi i ishin shmangur Qeveria Mustafa, Qeveria Haradinaj, Qeveria Kurti I, Qeveria Hoti dhe së fundi edhe Qeveria Kurti II, shkruan Insajderi.

    ShBA shprehej qartë se çfarëdo vonimi i pranimit dhe zbatimit të këtij vendimi të Gjykatës Kshtetuese “e vendos në pikëpyetje zotimin e Kosovës për drejtësi të barabartë, llogaridhënie, transparencë dhe respektim të të drejtave pronësore”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehej kategorik se “çështja e pronësisë dhe trashëgimia kulturore nuk janë e njëjta gjë” teksa artikulonte mospajtimin e tij rreth këtij vendimi. “Bëhet fjalë për 24 hektarë të cilët kanë qenë dhuratë e Millosheviç-it për Manastirin e Deçanit”, pati thënë ai nga Uashingtoni pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, i cili i kishte kërkuar pikërisht zbatimin e këtij vendimi.

    Ajo tokë dikur ka qenë publike dhe nuk duhet ta abstrahojmë këtë fakt”, i thoshte ai Zërit të Amerikës në korrik të 2022’ës, ndërsa pranonte se me Anthoni Blinken “po e kemi diskutuar edhe çështjen e Manastirit të Deçanit”.

    Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kurti asnjëherë s’ka qenë pa kritika. As Manastiri i Deçanit në të njëjtën kohë s’qëndronte heshtur e pa reagime ndaj kryeministrit. “Për shkak të shkeljeve sistematike të të drejtave tona, edhe atyreve të garantuara nga ligjet e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe nuk mund të jetojë normalisht në Kosovë pa mbrojtje gjithpërfshirëse të identitetit të saj, të të drejtave, lirive dhe pronës, me garancione të fuqishme ndërkombtare dhe mbrojte nga KFOR-i në Deçan”, shkruanin ata.

    Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca, shfaqej edhe më i bindur. Ky vendim i GJK-së, sipas tij, është i pazbatueshëm dhe “nuk do të duhej të zbatohej”.

    Unë them që nuk duhet të zbatohet. Kam hyrë dhe e kam studiuar kuadrin ligjor jo të  Gjykatës Kushtetuese, por kuadrin ligjor të pronësisë dhe të vendimit publik, kur është marrë edhe në bazë të cilit është marrë Gjykata Kushtetuese. Dimensioni i parë për mua është skandaloz, është një vendim i vitit 1997 i Slobodan Millosheviçit”, kishte thënë Konjufca në Rubikon.

    Konjufca në elaborimin e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese pati konstatuar se “gjyqtarët e kanë trajtuar rastin tërësisht të zhveshur nga dimensioni i vet politiko-historik […] Pra, ata çka kanë marrë vendim është duke e reduktuar problemin në çështje administrativo-kadastrale”, pati thënë kryeparlamentari Konjufca.

    Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, po ashtu ngulte këmbë veçanërisht në zbatimin e vendimit të GJK-së. “Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe këmbëngulës: ky rast ka të bëjë me sundimin e ligjit, jo etninë, politikën apo fenë”, deklaronte ai.

    Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ankohej edhe për një gjë tjetër ndonëse shprehej optimist se çështja mund të zgjidhej me dialog. “Jam kryeministri i parë i Kosovës i cili nuk pranohet në takim nga priftërinjtë ortodoksë në Manastirin e Deçanit”.

    Janë takuar pararendësit e mi, por mua nuk më duan në takim. Kam kërkuar takim por më refuzojnë. Besoj se mund të përfshihemi në dialog e të zgjidhim problematikat që i kemi. Ne duam ta ruajmë Manastirin e Deçanit, që është trashëgimi kulturore e gjithë qytetarëve”, shprehej ai.

    Neni 7, formalizimi i Statusit të Kishës Ortodokse Serbe

    Në Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila është bërë “ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme” për palët, Neni 7 përcakton se Kosova do të formalizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe. Megjithatë, për pak kënd kjo ka kuptim, pak kush e ka të qartë se çfarë do të thotë kjo.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur më 23 shkurt garantonte se Kishës Ortodokse Serbe nuk t’i njohë “asgjë të veçantë, privilegjuese e as historikisht kontestuese”.

    Formalizimi, sipas tij, nënkupton njohjen e Kishës Ortodokse Serbe si person juridik fetar, përkatësisht bashkësi fetare në legjislacionin e brendshëm të Republikës së Kosovës. “Nuk nënkupton asgjë të veçantë”, u shpreh ai, ndërsa tha se pse gjërat janë ashtu siç janë, është ngase “i kam trashëguar”.

    I takon një analize politiko-historike të përcaktojë se kush janë faktorët që ajo ka rezultuar të jetë e tillë”, shkruan Insajderi.

    Në propozim përmbahet një pikë mbi formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe. Formalizimi nuk nënkupton negociim mbi statusin e saj, e as diskutim mbi të drejtat e veçanta […] Formalizimi nënkupton njohjen e Kishës Ortodokse Serbe si person juridik fetar, përkatësisht bashkësi fetare në legjislacionin  e brendshëm të RKS. Nuk nënkupton asgjë të veçantë”, shprehej kryeministri.

    Në Planin e Ahtisaarit që i parapriu Pavarësisë së Kosovës, ky institucion do të gëzonte mbrojte e ruajtje të madhe të ekzistencës së saj brenda shtetit të ri, shtet të cilin kjo kishë nuk e njeh.

    “[…] sigurimin ekzistencës dhe operimit të pakufizuar dhe të papenguar të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Kisha dhe organizatat e saj të brendshme do të njihen hapur nga autoritetet e Kosovës, prona e saj do të jetë e paprekshme, do të gëzojë privilegje në taksa dhe detyrime doganore. Zonat e mbrojtura do të krijohen në më shumë se rreth 40 hapësira religjioze dhe kulturore kyçe”, thuhej në Kapiutllin 2, Pikën 6 të Propozimit të Ahtisaarit.

    Pa paragjykuar pronësinë e pronave në zonat e mbrojtura, kufizime të veçanta do t’u aplikohen aktiviteteve brenda këtyre zonave të mbrojtura për të garantuar ekzistencën dhe funksionimin e këtyre hapësirave fetare dhe kulturore […]”.

    Kur dukej se kësaj kishe i ishin siguruar të gjitha të drejtat dhe priviliegjet që një institucion fetar mund të dëshirojë në një shtet, u shtua edhe diçka.

    Status Special për Kishën Serbe në Kosovë?

    Kjo pika për Kishën Serbe ka qenë një lloj çudie për të gjithë”, pati thënë fillimisht Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate në një përgjigje për Insajderin.

    Pozita e Kishës Ortodokse Serbe është tashmë e sanksionuar në Kosovë përmes Planit të Ahtisaarit, rikujtonte Hyseni.

    Fakti që edhe pas kësaj e kemi një Nen që flet për formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, flet që janë tejkaluar dispozitat e Planit të Ahtisaarit; se jemi shumë larg tij”.

    Kur konflikti merr edhe natyrë fetare, për Zgjyim Hysenin, kjo do të thotë se synohet edhe “përjetësimi i konfliktit”.

    Çka ne nuk duhet me pranu, jo vetëm karshi kësaj qeverie, por edhe ndaj opionin të komunitetit ndërkombëtar, janë pretendimet se Kisha Ortodokse Serbe, objektet e trasëgimisë religjioze e kulturore, qenkan të rrezikuara”.

    Një gjë e tillë nuk është e vërtetë, dhe monstrume të këtilla juridike nuk është mirë me ndërtu mbi këto supozime që nuk ekzistojnë”.

    Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës shprehen se kjo çfarë kërkohet në Nenin 7 tejkalon kornizën ligjore dhe garancitë e mëdha që Kishës Ortodokse Serbe i jepen në Kushtetutën e Kosovës.

    Konteksti është shumë kompleks”, pati thënë Vlora Çitaku, Nënkryetar e PDK-së, në një përgjigje për Insajderin.

    Ju e dini që ne jemi treguar shumë zemërgjerë për të akodomuar bashkësitë fetare në Kosovë, për të akodomuar interesat e Kishës Ortodokse Serbe, mirëpo këtu kemi të bëjmë me ofrimin e një statusi juridik dhe politik”.

    Kjo nuk ka të bëjë me mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë historike”, përfundon ajo./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark