×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Tenderi afro 1 milionësh – Opozita në Prizren dyshon për keqpërdorime

    Insajderi
    14 December 2023 - 16:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Lëvizja Vetëvendosje në Prizren dyshon se tenderi 1 milionësh i pushtetit lokal është përshkruar me parregullsi të mëdha. Shkas është bërë zotimi i vogël i mjeteve në krahasim me shumën finale të tenderit.

    Insajderi

    Përfituesit e tenderit për hapjen e rrugës pyjore “Usha e Staneve në Vërmicë” u zgjodhën “G-PROJECT SH.P.K ; Gurëbardhi SH.P.K ; Renelual Tahiri SH.P.K“, me vlerën totale të ofertës 947 mijë e 778 euro e 75 cent.

    Në këtë tender kishin marr pjesë katër kompani, ku njëra prej tyre kishte ofruar rreth 300 mijë euro më pak se operatori fitues, por që është shpallur e papërgjegjshëm nga komuna.

    Punët për këtë projekt janë paraparë të kryhen për rreth dy vite ose 600 ditë.

    Lidhur me tenderin në fjalë, opozita ka hedhur dyshime për korrupsion. Nga Lëvizja Vetëvendosje – dega në Prizren kanë thënë se kjo kontratë u nënshkrua me çmim 15 herë më të lartë se që ishte paraparë fillimisht.

    Në tenderin për këtë projekt janë paraparë shuma të mëdha financiare të cilat nuk ishin të parapara në projekt buxhet. Me nënshkrimin e kësaj kontrate e kemi kuptuar që bëhet fjalë për një tender prej afër një milionë euro, pra një shifër pesëmbëdhjetë herë më e lartë se sa ishte paraparë fillimisht“, tha asamblisti i Kuvendit Komunal nga radhët e LVV’së, Selman Sokoli.

    Sokoli tha se zgjedhja e një operatori më çmimin më të shtrenjtë, duke shpallur të papërgjegjshëm operatorin me çmimin më të lirë, krijon hapësirë për dyshime korruptive.

    “Edhe këtu ka hapësirë për dyshime korruptive sepse në sinkronizim kanë mundur thjeshtë të mos plotësojnë dosjen me ndonjërin nga dokumentet e kërkuara“, tha Sokoli.

    Tutje, ai tha se për këtë projekt janë ndarë 5% nga totali i buxhetit komunal për investime kapitale.

    Zotimi 60 mijë eurosh, Komuna: Ishte projekt gjysmak

    Shefi i Kabinetit të kryetarit Shaqir Totaj, Nehat Elshani tha se komuna në varësi prej rrethanave do ti siguroj mjetet financiare për realizimin e këtij projekti.

    Komuna e Prizrenit zakonisht procedon në tenderim projekte dy vjeçare. Kontrata ne fjale ka kodin e planifikuar buxhetore nr. 52591 dhe numrin e kontratës së nënshkruar nr. 622-23-9232-511 ‘’Hapja e rrugës Udha e Staneve Vërmicë’’ dhe si te tilla keto projekte kanë dinamike të  madhe të punëve. Tradicionalisht në këto projekte Komuna iu është përmbajt obligimeve kontraktuale, andaj edhe në këtë projekt Komuna jonë do t’i kushtojë rëndësi dinamikes dhe obligimeve ndaj kontratës. Komuna e Prizrenit në varësi prej rrethanave do ti siguroj mjetet financiare për realizimin e këtij projekti“, ka thënë Elshani.

    Tutje, ai tha se ky projekt është cilësuar me rëndësi dhe nuk ka mundur të jetë gjysmak.

    Procedimi i këtij projekti është analizuar nga menaxhmenti komunal si projekt me rëndësi dhe si I tillë ky projekt nuk ka mundur te jetë gjysmak për arsye se nuk kishte mundur të jetë funksional“, tha Elshani për Insajderin.

    Përkundër se zotimi i mjeteve ka qenë i vogël, vlera e paraparë e kontratës ka qenë në shumën prej 980 mijë eurosh. Që është më e lartë se sa shuma e ofertës që e ka fituar tenderin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark