×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Nga AAK në PDK, kalimi në LDK e rikthimi në PDK- Rrugëtimi politik i biznesmenit nga Peja, Ramiz Kelmendi

    Insajderi
    13 January 2021 - 00:08

    Biznesmeni nga Peja, Ramiz Kelmendi, ka ndërruar tri parti që nga 2014-ta. Sot zyrtarisht është bërë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

    Po bëhen afro 8 vjet që Kelemendi është në kërkim të postit ku do të mund të gjejë “rehati”.

    Nuk e gjeti në AAK në 2014, as në PDK dhe as në LDK në 2016-ën, a do ta gjejë tani më 2021 me rikthimin në PDK?

    Ky është rrugëtimi politik i Ramiz Kelemendit

    Aderimin e tij në PDK sot e prezantoi kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj.

    Përmes një shkrimi në Facebook, Hoxhaj deklaroi se në vizionin e PDK-së për rimëkëmbjen e shtetit, Kosova, sot, ka më së shumti nevojë për profesionistë të dëshmuar në fushën e ekonomisë, duke iu referuar Kelmendit.

    Kelmendi i cili është njëri nga biznesmenët më të njohur në Kosovë, politikës i hyri përmes AAK-së, pastaj për shkak të pakënaqësive kaloi në PDK, por edhe me PDK ishte i pakënaqur dhe u largua nga kjo parti, ku për një kohë qëndroi si deputet i pavarur, ndërsa në vitin 2016 iu bashkua LDK-së. E së fundmi vendosi të rikthehet në PDK.

    Në 2014-ën biznesmeni nga Peja, Ramiz Kelmendi besonte fuqishëm se lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të ishte kryeministër i Kosovës.

    Kishte paralajmëruar plane të mëdha për postin që e mendonte për vete. Diçka për zhvillim ekonomik.

    Kishte arritur të bëhej edhe deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës.

    Kishte bërë shumë për Haradinajn edhe gjatë kohës kur ai përballej me drejtësinë në Tribunalin e Hagës.

    “Për lirimin nga Haga kanë qenë diku rreth 400 mijë euro që i kam dhënë për zotin Haradinaj dhe nuk i bie pishman”, kishte thënë Kelmendi, raporton Insajderi.


    Kështu besonte deri më 5 maj 2014, kur Haradinajt tashmë i ishin shuar shpresat që të marrë drejtimin e Qeverisë.


    Atë ditë maji ai kishte dhënë dorëheqje, duke e akuzuar AAK-në se “planin e tij për zhvillim ekonomik, AAK-ja e saktëisht Ardian Gjini as nuk din ta nisë e lëre të zbatojë”.

    Nuk kishte dhënë arsye më shumë.


    Haradinaj ishte pyetur për largimin e tij në një konferencë shtypi. Nuk kishte preferuar ta përmendte me emër por akuzat drejtoheshin kundër veprimeve që bënte Kelmendi.


    “Këtu po flasim për cilësi. Është pak për habi situata kur aderojnë në parti politike po ata të njëjtit që i kanë thënë 1 milion të zeza për atë parti deri në ditën kur aderojnë. Kjo është pak për çudi. Mund të flitet për një moral të dyfishtë ose për dyfytyrësi”, kishte thënë Haradinaj.


    Më 10 maj 2014, Kelmendi aderoi në një parti tjetër. Në atë të Hashim Thaçit aso kohe kryeministër në detyrë.

    Thaçi kishte prezantuar ish-deputetin e AAK-së, Ramiz Kelmendi, si prurje të re në partinë e tij.

    Madje, Thaçi kishte thënë se Ramiz Kelmendi po i bashkohet listës fituese të 8 qershorit he “Misionit të ri” për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.

    E Kelmendi që gjatë gjithë fushatës e kishte prezantuar planin e tij për zhvillim ekonomik, kishte thënë me të aderuar në PDK se aty ka parë që në këtë parti do ta realizojë planin e tij ambicioz për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.

    As kjo nuk ishte ndodhur.

    Kelmendi që trumbetonte idenë se do të bëhej ministër i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Thaçit nuk e kishte arritur.

    Pas krizës politike kryeministër ishte bërë Isa Mustafa e ai kishte mbetur jashtë kabinetit qeveritar.

    Kishte qëndruar në PDK duke kërkuar gjithandej nëpërmjet intervistave në media se nëse nuk do të bëhej zëvendëskryeministër i Qeverisë do të dilte nga Partia Demokratike e Kosovës.

    Thaçi që e kishte sjellë në PDK Kelmendin, ishte bërë president ndërsa kryetari i ri i PDK-së, Kadri Veseli nuk e shihte si person që do të merrte këtë post.


    “Dorëheqja ime vie pasi që vizioni im për zhvillim ekonomik të Kosovës mu pamundësua”, ishte arsyetuar Klemendi pas disa deklaratave “po bëhem zëvendëskryeministër, s’po bëhem zëvendëskryeministër”.

    Më 25 tetor të 2016-ës ka aderuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës, të drejtuar nga Isa Mustafa, atëkohë kryeministër i vendit.

    Më 27 tetor të 2016 Kelmendi u emërua zëvendës kryeministër i Kosovës. Nuk qëndroi gjatë më 10 maj teë 2017-ës Qeveria Mustafa u rrëzua.
    Në shtator të 2019-ës, biznesmeni Kelmendi bëri të ditur se LDK më nuk është parti ku ai mund të realizojë vizionit e tij, rrjedhimisht u largua.

    Madje në njërin prej deklarimeve të tij gjatës 2019-ës, ai u shpreh se përkrahë Partinë Demokratike të Kosovës teksa potencoi se LDK ka humbur 10 mijë vota nga largimi i tij prej kësaj partie.

    “Mbështetja ime për PDK-në ka qenë ekskluzivisht për t’i treguar LDK-së së lëvizja ime nuk është thjesht lëvizje e një personi, por lëvizje e 3-4% të votave të përgjithshme”, pati deklaruar Kelmendi një muaj pas largimit nga LDK-ja.

    Ndërsa sot për herë të dytë zyrtarisht, Ramiz Kelmendi iu bashkua Partisë Demokratike të Kosovës.

    Mbetet të shihet nëse biznesmeni nga Peja do të gjejë kësaj radhe në PDK hapësirën për të realizuar “vizionin” e tij. /Insajderi.org

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark