FC Ferizaj ka mbajtur sot edhe një koktej rasti me aksionerët e klubit, ku prezent ishte edhe kryetari i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, shkruan Insporti.
Në korrik të vitit 2019, i pari i Ferizajt, Agim Aliu ishte prezent në një ceremoni glamuroze ku u nënshkrua marrëveshje me ish futbollistin e Leicester City dhe West Ham United, Brian Deane, i cili do të kishte 50% të aksioneve të KF Ferizajt.
Agim Aliu e cilësoi Deane si ikonë të futbollit anglez dhe e quajti ditë historike nënshkrimin e marrëveshjes për kalimin e 50% të aksioneve në pronësi të 53 vjeçarit anglez, duke thënë se po hapej një perspektivë e re për të ardhmen e të rinjve nga Ferizaj.
“Sot po e hapim një prespektiv të re, po mendojmë, po veprojmë dhe po punojmë për të krijuar të ardhme të futbolldashëve, të nxënësve, të të rinjve tanë në Ferizaj dhe në të gjithë Republikën e Kosovë. Projekti që është i përbashkët mes bashkëinvesitorëve anglez dhe ferizajas është një projekt i së ardhmes jo vetëm për Ferizajn por është një projekt i së ardhmes edhe për vet Republikën e Kosovës” – deklaronte Aliu në korrikun e 2019-ës.
Nuk kaluan as pesë muaj dhe investitorët anglezë të udhëhequr nga Brian Deane u larguan nga Kosova, me Ferizaj që ra nga Superliga e Kosovës në sezonin 2019/2020, sezon ky i cili u karakterizua nga probleme të shumta financiare.
Dy vite pas këtij episodi të hidhur, Agim Aliu shfaqet përsëri në ambientet e FC Ferizaj, por tani afër vetës ka bashkëpartiakun nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lulzim Abazin i cili zotëron 17.00% të aksioneve në klub.
FC Ferizaj dhe kryesia e re janë shprehur optimist për sezonin e ri, duke synuar me patjetër inkuadrimin në Superligën e Kosovës, me Agim Aliu që mbetet konstatja e pandryshueshme, pavarësisht situatës në të cilën gjendet klubi./Insporti.com/