Ditën e sotme, nga ora 18:00, e gjithë vëmendja e skenës politike është e kthyer nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë merr vendimin zyrtar për të ardhmen e kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, pas deponimit të nënshkrimeve të delegatëve ku pika e vetme e rendit të ditës është shkarkimi i tij, shkruan Insajderi.
Kjo kërkesë zyrtare erdhi si rrjedhojë e pakënaqësive të akumuluara me rezultatet e fundit zgjedhore.
Edhe pse Abdixhiku erdhi në krye të LDK-së me premtimin për reformim dhe ringritje të madhe, fakti që partia renditet për herë të tretë radhazi si forca e tretë politike në vend ka shkaktuar thyerje të thellë brenda strukturave.
Për një pjesë të konsiderueshme të bazës dhe delegatëve, ky stagnim në vendin e tretë shihet si dështim për të kthyer LDK-në në pozicionin e saj historik si pretendente kryesore për pushtet
Nga kritiku i ekonomisë te prania në ekzekutiv
Rrugëtimi politik i Abdixhikut ka qenë një nga ngritjet më të shpejta në historinë e partisë. Publiku e njihte atë kryesisht si drejtor të Institutit Riinvest dhe si një nga kolumnistët më kritikë ndaj keqmenaxhimit ekonomik në vend.
Kjo përvojë si analist i pavarur i shërbeu si trampolinë për t’u shndërruar në një nga figurat më të votuara kur iu bashkua LDK-së në maj të vitit 2017.

Hapin e parë në pushtetin ekzekutiv e bëri në shkurt të vitit 2020, kur mori drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit në Qeverinë Kurti I.
Megjithëse ai mandat zgjati vetëm pak muaj – deri në qershor të po atij viti pas prishjes së koalicionit – periudha e tij në krye të ministrisë u dallua për anulimin e disa tenderëve milionësh dhe një menaxhim me dorë të fortë gjatë hapave të parë të pandemisë.
Ky profilizim i shpejtë ekzekutiv ia forcoi imazhin e një teknokrati me duar të pastra.
Suksesi i marsit 2021 dhe premtimi për ringritje
Pika e kthimit erdhi në mars të vitit 2021.
Pas goditjes më të rëndë zgjedhore në historinë e LDK-së dhe dorëheqjes së Isa Mustafës, Abdixhiku mori timonin e partisë me premtimin për reformim, hapje ndaj gjeneratave të reja dhe rikthim të besimit të humbur.
Ai nisi një proces të brendshëm ristrukturimi, duke krijuar “Rrugën e Re” dhe duke u përpjekur të shkëriste LDK-në nga imazhi i një partie të konsumuar nga pushteti i gjatë.

Megjithatë, kjo frymë e re përballej vazhdimisht me rezistencën e heshtur të linjës tradicionale brenda partisë, e cila shihte te stili i tij i udhëheqjes një shkëputje nga rrënjët historike të LDK-së.
Peng i vendit të tretë: Kur premtimi për rikthim u përplas me votën
Arsyeja kryesore që çoi në gjendjen e sotme është rezultati zgjedhor. Projekti i Abdixhikut për ta rikthyer LDK-në si forcë të parë apo të dytë politike nuk arriti të materializohej në kutitë e votimit. Fakti që LDK-ja mbeti për të tretën herë radhazi si subjekti i tretë politik në vend krijoi një valë të thellë zhgënjimi te baza dhe te krerët e degëve.
Për zërat kritikë brenda LDK-së, renditja e tretë nuk është më thjesht një statistikë zgjedhore, por një tregues se formula e udhëheqjes së Abdixhikut e ka arritur tavanin e saj. Pakënaqësia u rrit nga bindja se strategjia e tij opozitare nuk arriti të përkthente pakënaqësinë qytetare në vota për LDK-në.
Që nga marrja e drejtimit të LDK-së në mars të vitit 2021, Lumir Abdixhiku ka udhëhequr partinë në katër palë zgjedhje gjithsej – një palë zgjedhje lokale (vjeshtë 2021) dhe tri palë zgjedhje parlamentare rresht (9 shkurt 2025, 28 dhjetor 2025 dhe 7 qershor 2026.
Rritja dhe përfundimi në vendi e tretë – performanca e Lumir Abdixhikut në tri palë zgjedhjet nacionale
Nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, Lidhja Demokratike e Kosovës regjistroi rezultatin më të lartë zgjedhor në procesin e 9 shkurtit 2025. Me një frymë të re elektorale, ajo arriti të grumbullojë 18.27% të votave, apo gjithsej 171,357 vota, duke shënuar një rikthim të dukshëm të partisë në skenën politike.
Po në të njëjtin vit, në zgjedhjet e parakohshme nacionale të 28 dhjetorit 2025, mbajtja e këtij ritmi u vu në sprovë të fortë, ku LDK-ja nga ky proces doli me 13.24% të votave, ose 126,163 vota gjithsej.
Lëvizja më strategjike e lidershipit të tij u shfaq në zgjedhjet e fundit parlamentare të 7 qershorit 2026, ku Abdixhiku mori vendimin politik për të bashkuar forcat me Vjosa Osmanin në një listë të përbashkët zgjedhore.
Megjithë këtë bashkim të madh të së djathtës, LDK-ja mori 16.69% të votave, apo 135,567 vota.
Fakti që as rritja e votave në 2025-ën dhe as koalicioni i drejtpërdrejtë me Vjosa Osmanin në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 nuk arritën ta nxjerrin LDK-në nga vendi i tretë, shërbeu si shkaku kryesor që nxiti mbledhjen e sotme të Kuvendit të Jashtëzakonshëm me kërkesën për shkarkimin e Abdixhikut.

Revolta nga bastionet dhe tentativat e fshehta: Kush e kërkoi largimin e Abdixhikut?
Ndonëse mbledhja e sotme e Kuvendit të Jashtëzakonshëm shënon kërkesën më të fuqishme zyrtare për shkarkim, betejat për ta luhatur karrigen e Lumir Abdixhikut kanë qenë të pranishme prej kohësh. Që prej vitit 2021 – kur ai mori drejtimin e partisë në garën përballë Lutfi Hazirit – brenda degëve të ndryshme ka pasur iniciativa të heshtura, mbledhje nën hije dhe tentativa për të grumbulluar nënshkrime që do ta detyronin atë të jepte dorëheqjen vullnetarisht.
Kjo përplasje kishte marrë një test të fortë me përshkallëzimin e krizës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
LDK-ja, partia më e vjetër në Kosovë, përjetoi një ndër periudhat më të vështira në historinë e vet pasi ato zgjedhje sollën rezultatin e dytë më të keq për të.
Disa anëtarë të partisë, përfshirë Hykmete Bajramin – e cila dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë – kërkuan largimin e Abdixhikut, pasi LDK-ja doli e treta duke i fituar vetëm rreth 13 për qind të votave.
Si rrjedhojë e këtij presioni, siç njoftoi atëkotë zyrtari i partisë Besian Mustafa, “Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do ta mbajë Kuvendin e partisë më 31 janar, ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, do ta kërkojë votëbesimin e delegatëve.”
Në atë mbledhje, Abdixhiku arriti t’i mbijetonte tentativës për shkarkim përmes votëbesimit.
Mirëpo, dështimi i mëvonshëm për të arritur një ndryshim me peshë në skenën zgjedhore edhe më 7 qershor ua dha përsëri krahët opozitarëve të tij të brendshëm për ta dërguar përplasjen deri në pikën finale. Kjo revoltë e nëndryshme doli përfundimisht në sipërfaqe pas zgjedhjeve të fundit.
Sinjalin e parë të prerë për llogaridhënie e dhanë krerët e dy bastioneve kryesore të LDK-së: Gazmend Muhaxheri (Dega e Pejës) dhe Imri Ahmeti (Dega e Lipjanit).
Vala e pakënaqësisë u zgjerua me shpejtësi kur nismës iu bashkuan edhe Dega II në Prishtinë e udhëhequr nga Florian Dushi dhe Dega e Fushë Kosovës nën drejtimin e Besnik Osmanit.
Kjo bërthamë degësh formalizoi mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme nga delegatët, duke e dërguar partisë kërkesën zyrtare që kulmon me Kuvendin e sotëm. Paralelisht, figura me peshë të lartë politike si Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti dhe Arben Gashi kanë shprehur vazhdimisht e me distancë kritike pakënaqësitë e tyre ndaj lidershipit aktual.
Dita e vendimit: Çfarë përcakton vota e sotme?
Sot nga ora 18:00, prapaskenat mbyllen dhe çështja kalon te vota e drejtpërdrejtë e delegatëve.
Kjo sprovë do të dëshmojë nëse Abdixhiku ka arritur të ruajë kontrollin mbi bazën e partisë dhe delegatët e saj, apo nëse pakënaqësia për vendin e tretë është përhapur mjaftueshëm për t’i dhënë fund kapitullit të tij në krye të LDK-së.
Nëse i mbijeton këtij votimi, Abdixhiku do të marrë një mandat të riforcuar por me një parti të ndarë; nëse shkarkohet, LDK-ja do të futet në një fazë të re të paqartësisë dhe përpjekjeve për të gjetur një ekuilibër të ri politik.
Lexo edhe: