Pas 9 vitesh, Indrit Fortuzi rikthehet në Tiranë, dhe përballet me një pjesë të njerëzve, që u ndjenë të mashtruar prej tij, ndërsa kishte marrë miliona lekë borxhe për shkak të varësisë nga kumari.
Pas një largimi të beftë në vitin 2015, që u shoqërua me shumë pikëpyetje, dhe me njollën e turpit të mashtrimit dhe borxheve, ish-legjenda e futbollit të Tiranës, Indrit Fortuzi është kthyer në qytetin ku u rrit dhe shpejt u shndërrua në një legjendë. Pas 9 vitesh, ylli i futbollit të Tiranës dhe të kombëtares shqiptare, ka gjetur guximin që të përballet me shumë prej njerëzve që u ndjenë të mashtruar dhe zhvatur prej tij, ndërsa betejën duket se e ka fituar dhe me drejtësinë. E gjitha për shkak të vesit të kumarit që ‘zogu’ siç njihej në fushën e lojës tani thotë që e ka shëruar.
Largimi në vitin 2015
Ish-futbollisti i njohur i Kombëtares Shqiptare dhe ekipit të Tiranës, Indrit Fortuzi, u largua në nëntor të vitit 2015 nga Shqipëria, pasi e shoqja e tij u kallëzua për mashtrime, si edhe pasi ish-futbollisti kishte humbur shuma të mëdha parash në lojërat e fatit, dhe kishte shumë para borxh. Bashkëshortja e tij ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për shkak se kishte shitur bileta false, përmes agjensisë turistike që drejtonte. Ndaj Junida Fortuzit ishte bërë një kallëzim nga një 20 vjeçar se e kishte mashtruar. Junida Fortuzi rezultonte pronare e “Just Travel” dhe i kishte shitur të riut 4 bileta avioni në shumën 1200 euro, të cilat më vonë kanë rezultuar të pavlefshme.
3 vite pa gjurmë
Lajmi i parë që pas largimit, për Indrit Fortuzin do të jepej në vitin 2018, ku ai raportohej se kishte nisur punë si trajner në Kanada. Fortuzi kishte nisur punë si trajner në ekipin kanadez ProStars FC, ekip i cili luan në divizionin e tretë kanadez. Ai ka qenë trajner i ekipit të meshkujve, mes shumë ekipeve për femra, apo edhe të akademive, që ka klubi ProStars.
Rikthimi pas 9 vitësh në Tiranë, dhe rrëfimi për varësinë nga bixhozi
Ditën e djeshme, Indrit Fortuzi është shfaqur për herë të parë publikisht, duke dhënë një intervistë për gazetarin Endi Tufa. Fortuzi ka pranuar se vendimi për t’u larguar në atë mënyrë nga Shqipëria, mund të ketë qenë i nxituar, por e ka bërë që të ruante imazhin e tij dhe të familjes, ndërsa ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga borxhet. Gjatë intervistës, Fortuzi kërkoi falje për të gjithë njerëzit që mund t’iu ketë sjellë shqetësime, ndërsa foli dhe për miqtë që i ka humbur gjatë rrugës.
“Shikoj pas 9 vitesh një Tiranë të ndryshuar, një Tiranë të zhurmshme. Qëllimi i kësaj interviste është se do të doja të kërkoja falje njerëzve që mund t’i kem sjellë shqetësime. Si çdo njeri, kam pasur edhe unë momentin tim të keq, mbase mënyra se si unë u largova mund të ishte më e amortizuar. Megjithatë gjithçka mbaroi, njerëzit edhe rrëzohen, por edhe ngrihen. Tirana aq sa e madhe është bërë më duket edhe e zvogëluar, njëkohësisht.
Unë pata një moment të vështirë, në një presion në një ankth, bëra një largim jo të menduar, ishte i momentit. Por çdo gjë që u bë u ishte si rrjedhojë e një vesi që kisha. Largimin e bëra duke e parë në dy gjëra, e para duhet t’u largoja nga ajo gjë dhe e dyta të ruaja edhe familjen time. Gjera që besoj se i arrita edhe pse pata koston time, edhe për imazhin. Megjithatë këto janë pjesë të jetës që njeriu ka uljen dhe ngritjet e veta.
Një gjë tjetër që doja të sqaroja është se unë asnjëherë nuk kam pasur media sociale dhe ka pasur shumë njerëz të cilët kanë hapur profile në emrin tim, kanë dhënë mendimet e tyre dhe kanë sharë, por unë dua t’i sqarojë të gjithë që unë skam pasur asnjëherë, ka qenë një pirateri që është nga dikush apo nga njerëz të ndryshëm. S’ka qenë asnjëherë pjesë e imja ajo gjë dhe ndonjëri nëse i kam sjellë ndonjëherë shqetësim thjesht doja ta sqaroja që nuk kam qenë unë. Përkundrazi njerëz që janë prekur në fakt kanë qenë miqtë e mi.
Nuk doja të them që kisha presion nga dikush, por ishte një moment që unë nuk e kisha ndjerë veten më poshtë se atëherë, një lloj ankthi, një lloj humbje besimi. Gjërat vështirësoheshin dita ditës dhe mund të përkeqësoheshin edhe më shumë. Largimi im nuk ishte thjesht për të mos u kthyer apo për të mos u përgjigjur, por pash një lum sharjesh ofendimesh dhe mendova më mirë se do të jem me kokën mbrapa, do kthehem. Mbase ishte vendimi i gabuar mund të amortizuar por në ato momente mendon më mirë të largohem, mos të kem atë lloj presioni, mundohet të largohet nga vesi, mundohet të shpëtojë familjen. Pastaj janë hapat e tjerë, që mund të kthehesh një ditë, për momentin ky ishte mendimi, mbase mund të ishte i gabuar dhe mendoj që mund të ishte gabim sepse duhej të amortizohej, por në ato momente njeriu nuk e ka të thjeshtë për të menduar.
Është folur shumë, kam dëgjuar edhe nga njerëz që unë i konsideroja miq, megjithatë nuk i gjykoj njerëzit, të them të drejtën dhe nuk dua të mbaj mëri., sepse…më shumë fajësoj veten time. Reagimi i njerëzve ka qenë pjesa ime e fajit, nuk mund të flasim për pasojën kur shkaku është diçka tjetër dhe i kam lënë mbrapa. Shyqyr Zotit, me ndihmën e familjes time dhe një shokut tim të ngushtë që dua ta përshëndes, Dritan Gjinali që më ka ndihmuar në ato momente shumë të vështira, kalova dhe shpresoj që çdo gjë të rikuperohet”.
Indrit Fortuzi ka qenë një ndër futbollistët më të mirë të Tiranës duke regjistruar në të njëjtën kohë edhe disa pjesëmarrje në kombëtare. Përpara se të zhdukej nga Shqipëria ai u angazhua në politike, ndërsa për e vite drejtoi një minibashki në Tiranë, nën siglën e Partisë Demokratike. Po ashtu ai ka qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e kësaj force politike.
/ZËRI