Dy vendime të njëpasnjëshme të Agjencisë për Informim dhe Privatësi zbulojnë një seri shkeljesh serioze nga Kolegji “Universum”, që prekin drejtpërdrejt të drejtën për privatësi dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Nga përdorimi i paautorizuar i kredencialeve akademike për qëllime akreditimi, deri te vendosja e kamerave në hapësira intime, gjetjet tregojnë një model të përsëritur të tejkalimit të kufijve ligjorë. Institucioni është arsyetuar me “automatizëm administrativ” dhe “keqkuptime”, por AIP ka konstatuar mungesë të bazës ligjore në veprimet e tij
Visar Duriqi
Kolegji “Universum O.P.” vazhdon të jetë në qendër të skandaleve të njëpasnjëshme sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale dhe respektimit të ligjit në Kosovë.
Nga mbikëqyrja e paligjshme me kamera brenda hapësirave më intime si tualetet e studentëve, e deri te përdorimi i kundërligjshëm i kredencialeve akademike të profesorëve pa kontratë pune për të marrë akreditime zyrtare, ky institucion arsimor privat po shfaq një model të përsëritur të shkeljes së legjislacionit në fuqi.
Në dy vendime të njëpasnjëshme të nxjerra nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) – njëri në fillim të vitit 2025 me gjobë prej 8 mijë eurosh dhe tjetri Vendimi Nr. 94/2026 i marrë më 9 qershor 2026 – “Universum” është kapur në shkelje të rënda duke e arsyetuar funksionimin e tij prapa termave si “keqkuptim” apo “automatizëm administrativ”.
Përdorimi i paligjshëm i dosjes së profesoreshës për akreditimin e programit të Psikologjisë
Sipas Vendimit Nr. 94/2026 të siguruar nga Gazeta Insajderi, AIP ka aprovuar ankesën e parashtruar më 25 mars 2026 nga një ish-profesoreshë kundër Kolegjit “Universum O.P.”.
Ankuesja, e anonimizuar nga AIP si A.A., ka qenë e punësuar pranë Kolegjit “Universum” nga data 1 tetor 2023 deri më 30 qershor 2024, në cilësinë e bartëses së Programit të Psikologjisë, duke marrë pjesë në përgatitjet fillestare të aplikimit për akreditim. Më 8 korrik 2024, bashkëpunimi i saj me Kolegjin ka përfunduar zyrtarisht.
Megjithatë, pas kësaj date, Kolegji “Universum” ka vazhduar të përdorë dokumentacionin e saj personal, profesional dhe akademik si CV-në, diplomat, publikimet dhe statusin si bartëse e programit pranë Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) për vitin akademik 2024/2025 – të gjitha këto pa pasur marrëdhënie kontraktuale aktive, pa e informuar dhe pa marrë pëlqimin e saj me shkrim.
Ankuesja kishte kuptuar vetëm më vonë se programi i Psikologjisë ishte akredituar duke shfrytëzuar dosjen e saj akademike. Madje, në një raport të ekspertëve të jashtëm të datës 2 prill 2025, ajo figuronte ende e renditur si pjesëmarrëse dhe bartëse e programit.
Mbrojtja e Universum, pretendimi për “automatizëm”
Në përgjigjen e dërguar më 21 maj 2025 pranë AIP-së, Kolegji “Universum” pretendoi se riaplikimi për akreditim ishte bërë për shkak të ndryshimit të afateve të AKA-së më 31 korrik 2024. Institucioni u arsyetua se, në mungesë të një vendimi përfundimtar nga AKA, “janë mbajtur automatikisht të njëjtët bartës si në aplikimin fillestar, përfshirë ankuesen”. Kolegji pranoi hapur se kjo praktikë e “automatizmit” është zbatuar për të gjitha programet ku vendimi i vitit paraprak kishte tejkaluar afatin e ri.
Po ashtu, Kolegji pretendoi se pasi profesoresha u riangazhua me një kontratë të re më 29 korrik 2025 e ku punoi deri më 24 nëntor 2025, kur dha dorëheqjen, kjo gjë e mbulonte procedurën, sipas tyre.
Agjencia për Informim dhe Privatësi e ka rrëzuar tërësisht arsyetimin e Kolegjit “Universum”, duke konstatuar shkelje të nenit 4 (paragrafët 1 dhe 4) dhe nenit 5 të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (LMDhP).
Në arsyetimin zyrtar, AIP thekson shprehimisht se “srsyetimi i kontrolluesit se emri dhe kredencialet e ankueses kanë vazhduar ‘me automatizëm’ nuk përbën, në vetvete, bazë të mjaftueshme ligjore për vazhdimin e përpunimit të të dhënave personale pas përfundimit të marrëdhënies së punës. Lehtësia administrative, vazhdimësia teknike e dosjes apo mungesa e vendimit përfundimtar nga AKA nuk e përjashton kontrolluesin nga detyrimi që të sigurojë ligjshmërinë, saktësinë dhe përditësimin e të dhënave personale të subjektit”.
AIP gjithashtu refuzoi argumentin e riangazhimit të mëvonshëm.
“Fakti se ankuesja më datë 29.07.2025 ka lidhur kontratë të re me kontrolluesin… nuk e legalizon automatikisht përpunimin e mëparshëm të të dhënave të saj personale për periudhën 08.07.2024–29.07.2025… Riintegrimi i mëvonshëm mund të merret parasysh si rrethanë faktike, por nuk e zëvendëson detyrimin e kontrolluesit për të dëshmuar bazën ligjore dhe saktësinë e përpunimit në periudhën paraprake”, thuhet në vendimin e AIP.
Inspektorja e rastit, Mirvete Çallaki Aliu, ka urdhëruar Kolegjin “Universum” që brenda 30 ditëve të ndërpresë përpunimin e paligjshëm, të bëjë përditësimin dhe saktësimin e të dhënave të gjithë bartësve pranë AKA-së, si dhe të njoftojë AIP-në me shkrim për masat e ndërmarra.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është deklarata e vetë Kolegjit “Universum” dhënë para inspektorëve të AIP-së. Duke pranuar se praktika e “automatizmit” me emrat e profesorëve pa kontratë është zbatuar për të gjitha programet ku ka patur vonesa nga AKA, ngrihen dyshime serioze se ky institucion mund të ketë përdorur edhe kredenciale akademike të profesorëve të tjerë pa lejen e tyre, vetëm e vetëm për të mos humbur akreditimet e programeve studimore.
Gjoba prej 8 mijë eurosh për vëzhgimin me kamera në tualete dhe salla
Precedenti i mospërfilljes së privatësisë nga Kolegji “Universum” ishte i mirëdokumentuar edhe një vit më parë. Në fillim të vitit 2025, doli në dritë vendimi i AIP-së (i marrë më 23 dhjetor 2024), përmes të cilit Kolegji “Universum” në degën e Ferizajt u gjobit me 8,000 euro gjobë kundërvajtëse.
Gjatë inspektimit të kryer nga AIP, zyrtarët kishin zbuluar një sistem të tërë monitorimi me 25 kamera vëzhgimi, prej të cilave 14 ishin aktive dhe funksionale. Shkelja më e rëndë përfshinte vendosjen e kamerave në hapësira ku privatësia duhet të jetë absolute:
Brenda tualeteve -të vendosura në hapësirën e përbashkët pranë lavamanëve. Brenda sallave të ligjëratave, ku mbikëqyrej procesi mësimor pa plotësuar kriteret ligjore dhe pa njoftuar në mënyrë të duhur studentët dhe stafin.
Në rastin e vitit 2025, Kolegji “Universum” u arsyetua se vendosja e kamerave kishte ndodhur për shkaqe të “sigurisë së pronës” dhe se kishte pasur një “keqkuptim lidhur me rregullimin ligjor”.
Mirëpo, Agjencia për Informim dhe Privatësi e kualifikoi këtë si një shkelje me peshë ekstremisht të rëndë. AIP sqaroi se monitorimi me kamera në tualete cenon drejtpërdrejt dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për privatësi të garantuar me Nenin 36 të Kushtetutës së Kosovës dhe Nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). AIP nënvizoi se asnjë interes ekonomik apo sigurie i një institucioni privat nuk mund të arsyetojë cenimin e hapësirave sanitare dhe private.
Si rrjedhojë, përveç gjobës prej 8,000 eurosh, Kolegji u detyrua t’i çmontojë menjëherë të gjitha kamerat e vendosura në hapësirat e ndaluara.
Për vendimin e fundit, Insajderi e ka kontaktuar Universumin, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, ky kolegj privat nuk ka kthyer përgjigje.