×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Nga Kampion i Kosovës në Ligën e Parë, flasin nga Feronikeli pas rënies nga Superliga: A iu ndihmoi Ramiz Lladrovci?

    Insajderi
    24 April 2022 - 14:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me ekipin e juniorëve, tre herë kampioni i Kosovës, Feronikeli nuk ia doli të mbijetojë në Superligën e Kosovës – duke rënë në Ligën e Parë për herë të parë që nga vitit 2012/13.

    ‘Industrialistët’ qysh para fillimit të edicionit u përballën me probleme të shumta, duke filluar nga bllokimi i merkatos nga UEFA, për shkak të problemit me financa me një nga ish-futbollistët, më saktë me Bedri Grecën, për të cilin Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht.

    Pas problemeve financiare, në stinorin pranveror “Nikli” kanë luajtur vetëm me ekipin e juniorëve.

    Insajderi ka kontaktuar me koordinatorin e klubit të Feronikelit, Erlind Krasniqin. Ky i fundit nënvizoi se do të kërkojnë investitorë të rinj për riorganizimin e klubit, duke theksuar se kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka provuar që t ndihmojë klubin.

    “Duke u përballur me këtë gjendje jo të mirë financiare, ne kemi kërkuar ndihmë nga komuna e Drenasit, ku kryetari Lladrovci ka provuar në çdo mënyrë të ofroj investitorë të rinj në klub, por, obligimet e mëdha në klub dhe kriza e shkaktuar nga pandemia, padyshim që ishin faktorë dominantë që donatorët të hezitojnë të investojnë. Ne pasi të përfundoj kampionati, do të mendojmë mënyrën se si të fillojmë riorganizimin në klub dhe do të kërkojmë hyrjen në supërligë vitin tjetër” – tha Krasniqi.

    *Insajderi ka tentuar të kontaktojë me Kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci por ky i fundit nuk është përgjigjur.

    Problemet shpreson që të zgjidhen edhe trajneri Faruk Elshani, i cili e gjeti klubin në një pozitë jo të mirë që prej ardhjes së tij në vend të Klodian Duros.

    “Kemi ra edhe matematikisht por e kemi ditur që do të jetë një sezon i vështirë. Jemi mundu me bë më të mirën me këta lojtarë që na kanë mbetur. Edhe 6 lojë deri në fund do ta japim maksimunim dhe do të shohim si do ta fillojmë sezonin e ri në Ligën e Parë. Dashtë zoti që të organizohet klubi dhe sa i përket meje se a do të jem trajner apo në ndonjë pozitë tjetër në klub do të vendos kryesia” – tha Elshani për Insajderin.

    Kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro për t’u zhvilluar, Feronikeli pozicionohet në vendin e fundit në tabelë me 12 pikë, 21 më pak se vendi i tetë, që dërgon në play-out.

    Në stinorin pranveror, Feronikeli e kanë arritur vetëm një pikë, në barazimin ndaj Ulpianës.

    Kujtojmë se, Feronikeli është shpallë tri herë kampion të Kosovës, në sezonin 2014/15, 2015/16 dhe 2018/19.

    /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark